Ambientalisti Sazan Guri thotë se, sipas disa fakteve historike, ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Washington dhe George W. H. Bush ishin shqiptarë.
Më parë Sazan Guri ka deklaruar se shqiptarë kanë qenë edhe Krushti, Pikaso, Napoleon Bonaparti.
Në emisionin “Good Morning Albanians” në “Euronews Albania”, Guri u shpreh se George Bush i ka thënë një mikut të tij se ishte shqiptar.
Ndërsa, sipas tij, George Washington ishte me prejardhje nga Sinica e Pejës. Guri tha se mamaja e George Washington emigroi në SHBA, aty ku u martua me një shtetas amerikan.
“George Washington nga Sinica e Pejës. Edhe George Bush. I tha një inxhinieri, shokut tim në Korfuz, unë jam nga Shqipëria, por nuk e di se kur kam ikur. Publikisht e ka thënë. Mamaja e George Washington, Maria, shkoi fillimisht në Angli, Skoci, Irlandë dhe ishin ndër të parët që shkuan nga Irlanda në Amerikë kur ishte kriza e patates.
U martua me të shoqin amerikan dhe ka lënë porosi sesi të mbahet Kosova dhe Shqipëria. Dwight D. Eisenhower i caktoi një fond Shqipërisë, por këta nuk i morën, thonin imperializmi amerikan. Ne kemi një akademi që quhet “Rrënjët tona” dhe na vijnë fakte nga e gjithë bota; kemi njerëz që punojnë në arkiva”, theksoi Guri.
Në një video të bërë virale në rrjetet sociale, ai është shprehur se edhe Mali i Tomorit do të jetë bazë për nisjen e anijeve kozmike nga NASA. “Është forca më e madhe magnetike e botës në Tomor. Rrotull Tomorit rrotullohet bota.”