Kush është ‘profesori’ i krimit në Fier që vë në rresht policinë dhe sfidon shtetin me makina të blinduara, para kokaine dhe pasuri marramendëse. As SPAK-u nuk merret dot me të

Kronike

Publikuar: 14/09/2022

Kush është ‘profesori’ i krimit në Fier që vë në rresht policinë dhe sfidon shtetin me makina të blinduara, para kokaine dhe pasuri marramendëse. As SPAK-u nuk merret dot me të

Qetësia e imponuar mes padrinove të krimit në Fier mori fund në 23 Tetor të vitit 2021. Demir Backa, i pari i një prej familjeve më influente u ekzekutua në një atentat mafioz pranë një qendre tregtare. Krimi, ishte një mesazh force pasi u realizua në lagjen e fisit Backa. Autorët u larguan me një Mercedez me targa kosovare, një mesazh ky për origjinën e viktimës. Mjeti u gjet i djegur në fshatin Daullas.

Backa nuk është rast i zakonshëm, backallinjtë janë fis i njohur, me reputacion, me ndikim”, u shpreh gazetari, Artan Hoxha.

“Vrasja ishte ngjarje shumë tronditëse, nuk është se rasti viktimës ka lidhje me ndonj grup të caktuar por do të thotë që individë të ndryshëm aty tashmë kanë kurajon dhe pushtetin për të arritur deri në eliminim fizik të njerëzve caktuar”, u shpreh Petro Koçi, deputet i PS.

Viktima ishte pronari Piazza-s, një prej lokaleve më të njohur në qendër të qytetit. Familja Backa kishte në pronësi edhe qendrën tregtare pranë vendit të krimit. Pjesa më e madhe bizneseve aty rrotull, janë në pronësi apo kanë lidhje me fisin Backa që ka disa anëtarë me mjaft autoritet në Fier. Ka dyshime se kamerat e sigurisë që mund të kenë fiksuar vrasjen, janë në dorë të familjes së viktimës dhe nuk u janë dorëzuar autoriteteve.

“Backallinjtë s’kanë pasur një 1-sh, është si një lloj vëllazërie, kanë qenë mirëkuptim prandaj duke goditur Demirin i nxorrën jashtë loje, jo, nuk ka ndodhur kjo. Ata janë të prirur, ose janë nën trysni edhe nga aleatët, njerëzit që duhet reagojnë se ndryshe reputacioni do të vihet në diskutim” u shpreh gazetari Artan Hoxha.

“Ky mbiemër më kujtohet shumë mirë dhe është nga familjet e njohura në Fier që kanë edhe rininë me aktivitet” u shpreh Dritan Zagani, ish-shef i antidrogës në Fier.

Backa rezultonte me kartelën penale të pastër, edhe pse ai në Fier ishte përfolur shpesh për kryerjen e një vrasje shumë vite më parë. Në Gjykatën e Fierit ndodhet një dosje në ngarkim të tij ku akuzohet për kundërshtim të punonjësve të policisë, çështje që u pushua. Mes dëshmive që zbulojnë komunikimin me punonjësit e policisë, del në pah autoriteti i padiskutueshëm i Backës në Fier.

Referuar një tjetër dosje, Demir Backa kishte një konflikt civil me pasardhësit e Ekrem bej Vlorës për një hapësirë prej 900 hektarësh tokë në bregdetin e Pish-Poros. Në zonë, ai zotëronte një biznes blegtorie.

Konflikti për pronat në bregdet ishte një pistë që u zbeh shpejt.

“Dua të them një fakt që të qenit qyteti i dytë më i fuqishëm në vend për asetet, paratë, ata i bënë shumë komod si biznesmen. Në qytete tjera 2-3 biznesmenë dallohen nga luksi, jo, aty nuk dallon dot asgjë në Fier”, u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.

Pista kryesore ku u përqendrua grupi hetimor ishte konflikti i hapur që viktima kishte me Arben Isufajn, kreun e një prej familjeve më të fuqishme në Fier i njohur gjerësisht me nofkën “Ben Qimja”.

Gjithçka i ka fillesat në një episod të vitit 2017 kur Dem Backa me nipërit goditën me sende të forta “Ben Qimen” brenda lokalit Piazza.

“Nëse do flasim ndonjëherë për cenimin e rendit në Fier nga zërat kriminalë, këto bëhen për një gjë të rëndomtë për sedrën..për sedrë publike karshi të tretëve. Vetëm në ngjarjet e fundit kemi kuptuar që siguria e brishtë mes rivalitetit bandave vjen nga ky fakt”, u shpreh profesori i kriminologjisë Ervin Karamuço.

“Përgjithësisht sundon teza po themi hakmarrje për shkak të një konflikti mëparshëm por këtë e vendosin organet hetimore, politikanët nuk duhen përfshirë po themi në gjykimin e rasteve se më shumë prishin po themi se ndreqin punë”, u shpreh Petro Koçi, Deputet i PS.

Policia e Fierit shpalli zyrtarisht në kërkim Arben Isufajn, edhe pse nuk kishte prova që ta lidhte me krimin veç indicies së konfliktit të vjetër. Ai shkoi vullnetarisht pranë Drejtorisë së Policisë së Fierit 48 orë më vonë.

Isufaj demonstroi forcën teksa u paraqit në polici i shoqëruar nga një eskortë me mjete të blinduara. Ai mohoi çdo lloj implikimi në krim. Menjëherë pas dëshmisë u la i lirë.

“Fieri u dallua me qytete e tjera. Pse? Në Fier ishin të qarta vijat e demarkacinit, mesa lagjeve, dhe breda lagjeve e mes fiseve. Dihej kosovarët janë këtu, tropojanët këtu, çamët këtu, pra ishin ndarë zonat e influencës”, u shpreh gazetari, Artan Hoxha.

“Respektohen në distancë bandat mes tyre në mënyrë perfekte, nuk e teprojnë mes tyre, dinë të kanalizojnë repskeitn në distcna e mos ti hyjnë në hak njëri-tjetrit, sa unë jam mahnitur, të funksiononte shteti si funksionon krimi organizuar në Fier do kishim shtet perfekt”,  u shpreh Dritan Zagani, ish shef i antidrogës Fier.

“Ne i kemi quajtur profesorë me plot gojën se jo vetëm kanë dhënë dijen e kanë eksperimentuar gjithcka që ka zënë rrënjë në krim, por kanë mbajtur dhe paqen ,dhe ekuilibrat qoftë shqiptare qoftë rajonale e më gjerë”, u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço.

Në Fier kanë bazën dhe operojnë mbi 15 grupe të rëndësishme kriminale. Për shumicën prej tyre nuk është dëgjuar të flitet kurrë.

“Kam ndjekur ngjarje në Fier të personazheve që s’kanë foto, s’kanë pasur kurrë, s’ka pasur policia fotot të tyre, janë njerëz me duar në xhepa, të lirë, ndjekin familjet, bizneset, janë aty brenda dhe…ata kanë avantazh se askush s’ka qef të merret me ta. Të merresh me ta është si të ngacmosh bishtin e luanit”, u shpreh gazetari, Artan Hoxha.

“Ne e kemi studiuar organizatat e Vlorës e Fierit duke parë ngjashmëri, Vlora me Cosa Nostra dhe Fieri me Draghetan, pse? Vlora ka qenë e dhunshme shumë, vrasje gjyqtarësh, pengmarrje, ekspozim dhune. Fieri është shumë më i qetë, i kamufluar në veprimtari biznesi të mirëfillta”, u shpreh Ervin Karamuço, profesor i kriminologjisë.

Përplasja

Në fillim të viteve ’90, Sel Çami ishte ndër kapobandat më të rëndësishëm të Fierit. Arben Isufaj, kishte nisur të bënte shoqëri me të edhe pse “Ben Qimja” aso kohe njihej si djalë që qëndronte larg problemeve. Ai rridhte nga një familje e rregullt. Në fillim të vitit 1994 Ben Qimja konfrontohet me Pirro Koçiun dhe dy kushërinj të tij me mbiemër Yzeiri që njiheshin si djemtë e “Sel Çamit”.

Babai i Arbenit, Enver Isufaj një njeri që gëzonte reputacion në zonë, angazhohet për zgjidhjen e konfliktit. Por, Enver Isufaj do të vritej në një bilardo në afërsi të banesës në zonën e Sheqit. Në vrasje, dyshohet se kishin marrë pjesë Pëllumb Yzeiraj dhe Vladimir Hasani, vëllai i Sel Çamit. Kjo, zbulohet nga dëshmia e Bledar Kastratit disa vite më vonë, kur ai së bashku me kushëririn e Ben Qimes ranë pre e një atentati.

“Juliani dhe familja e tij kishin hasmëri me të pandehurit Pëllumb Yzeiraj dhe Selami Hasani. Vëllai i të pandehurit Selami Hasani, Ladi, kishte vrarë xhaxhanë e tij Enver Isufi dhe në këtë vrasje kishte marrë pjesë edhe Pëllumb Yzeiraj”.

Kjo ngjarje, do të ishte pikënisje e një serie të gjatë hakmarrjeje mes familjes kosovare të Ben Qimes dhe familjes came të Selami Hasanit.

“Unë njoh dhe kam pasur nëpër duar komplet kontigjentin e trafiqeve aty, të drogës kuptohet, Familjet në Fier, problem kriminalitetit është i mbështetur e zhvilluar në bazë familjare”, u shpreh Dritan Zagani, ish-shef i antidrogës në Fier.

Pasi i vranë të atin, Arben Isufaj largohet jashtë. Nga viti 1994 deri në 1998 ai nuk u shfaq në Fier. Isufaj u shpërngul në Spanjë e më pas në Holandë dhe Itali duke krijuar lidhje të fuqishme në trafikun e kokainës. Ben Qimja u fuqizua shumë dhe u shndërrua në furnitorin kryesor të bandës së Aldo Bares në Itali, siç u zbulua nga përgjimet.

Policia në rresht para Ben Qimes

Në Maj të vitit 2007 në zonën e Sheqit policia tentoi të arrestojë xhaxhanë e Ben Qimes, Ahmet Isufaj.

Ai ishte shpallur në kërkim për trafikimin e 173 kilogramëve kanabis. Lënda narkotike u bllokua në ambulancën e spitalit të Fierit në autostradën Tiranë-Durrës. Një skuadër policie me në krye shefin e krimeve tentuan të shoqërojnë Ahmet Isufajn.

Por, para u doli një person i armatosur që i kërcënoi me armë. Asnjë prej policëve nuk guxoi ti kundërpërgjigjet. Ata nuk guxuan as ti përmendin emrin në ligjëratë të drejtë në dëshmitë e dhëna.

“Njëri nga personat e tjerë që ishin me Ahmetin u është drejtuar punonjësve të policisë duke u thënë që ‘nuk e shoqëron dot ti se erdhi Ben Qimja”.

Mbi 15 efektivë nuk ishin në gjendje të përballen dhe u larguan me duar bosh. Sot, Arben Isufaj njihet si një biznesmen i fuqishëm në Fier e më gjerë kryesisht në sektorin e ndërtimit, punë publike dhe shërbime.

“Këto lloj fenomenesh, zhvillohen dhe ndodhin edhe për shkak të hapësirave ligjore, p.sh bashkitë nuk disponojnë mundësi që të mos japin leje ndërtimi për personazhe të tillë, nuk ka tagër bashkia, që të pengojë dhënie elje, e vërteta është që ndërtimi është fusha ku janë pastruar paratë e krimit më shumë në Shiqpëri”, u shpreh Petro Koçi, deputet i PS.

Referuar dosjes hetimore të SPAK lidhur me hetimin pasuror ndaj Isufajt në vitin 2021, rezulton se ai ka fituar tendera të shumtë në kompaninë shtetërore të naftës. Prokurorët arritën në konkluzionin se tenderat fitoheshin nga kompani me emra të tjerë, por që kontrollohen nga Isufaj.

“Unë dua të shquaj Albpetrol, edhe aty ka pa diskutim terren ku këta personazhe kanë ndërhyrë dhe vijojnë të marrin financa”, u shpreh deputeti i PS, Petro Koçi.

Sipas këtij dokumenti nga dosja hetimore, në një rast të vetëm Isufaj ka dhënë plot 7 milionë euro cash për blerje nafte nga Albpetrol. Madje, ka zëra në Fier që thonë se shpesh me pagesa të tilla shteti është ndihmuar të shlyejë pagat pasi ka pasur arkën bosh.

Ata u bënë shumë të rëndësishëm për pushtetin vendor se nëse nuk ishe bashkë punim me ta pushteti e kishte vështirë të kryente edhe detyrat”, u shpreh Artan Hoxha, gazetar.

“Janë shumë novatorë, fierakët janë të parët që u kthyen nga bota e krimit, nga kriminelë nga pjesëtarë organziatash kriminalë u kthyen në biznesmenë, sot janë biznesmenë të ligjshëm” u shpreh gazetari, Artan Hoxha.

Isufaj i ka mbyllur hesapet me drejtësinë duke shmangur edhe ekstradimin në Itali. Ai është dënuar nga Gjykata e Torinos lidhur me disa episode trafiku kokaine nga Holanda. Me vendimin e datës 26 Mars 2015, Gjykata e Fierit rrëzoi përfundimisht kërkesën për ekstradimin e Isufajt. Në Fier ai konsiderohet i paprekshëm. Ben Qimja, hyri në botën e errët si djalë i rregullt që u detyrua nga vrasja e të atit.  Sot, ai është një prej personazheve më influentë.

“Të gjithë posedojmë informacion kriminalë brenda vetes por janë rrethana që ky ky informacion mund të shprehet me veprime konkrete ose jo, ambjneti i asaj tradite në Fier bën të mundur të kenë premise më shumë që gjatë jetës së ndershme kanë pësuar një traumë, pastaj është shoqëria element të krimit që të shtyjnë të identifikohesh me ta, dhe jo me njerëzit e ndershëm”, u shpreh profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço. / Inside Story