Pas ngjarjes së rëndë në Gramsh ku tre shtetas rusë sulmuan dy ushtarë shqiptarë për të hyrë në Uzinën e Armëve janë zbardhur edhe emrat e tyre. Një shtetase ruse është identifikuar si Svetlana Timofoeva, 33 vjeçe.
Ndërkohë një prej shtetasve rusë është Mikhail Zorin, 23 vjeç. Ata janë arrestuar pasi hodhën lëndë kimike drejt ushtarëve në uzinën ushtarake të Gramshit.
Gjatë marrjes në pyetje nga grupi i Antiterrorit, të ndaluarit kanë deklaruar se kanë ardhur në Shqipëri si turistë.
Atyre u janë sekuestruar pasaportat dhe sendet vetjake (aparate fotografikë dhe lëndë djegëse kimike), pasi u lëshua urdhër i ndalimit nga prokuroria.
Në çantën e Mikhail Zorin është gjetur një aparaturë spiunazhi, ku në çipet e tyre janë zbuluar foto të uzinës ushtarake të Gramshit të kryer gjatë dy ditëve të fundit.
Pas kësaj grupi hetimor ka ngritur dyshimet se ata kanë ardhur me një mision sekret në uzinën Ushtarake të Gramshit.
Versioni i ministrisë
Ministria e Mbrojtjes thotë se incidenti në uzinën e armëve në Gramsh, ku tre ruse tentuan të futen ka ndodhur rreth orës 17:40. Sipas njoftimit, roja ka vënë re lëvizjet e dyshimta rreth objektit dhe menjëherë ka njoftuar përgjegjësin, se një person ka hyrë brenda territorit.
Sipas ministrisë, të dy efektivët që mbetën të plagosur nga përleshja kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim për të ndaluar personin, duke i bërë fillimisht thirrje.
Shtetasi i huaj, i cili është rus është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij.
“Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas. Ndaj personeli i Policisë Ushtarake ka njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit, e cila ka bërë ndalimin edhe të dy personave të tjerë jo shumë larg nga uzina”, thuhet në reagim.
Reagon Rama
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për incidentin në uzinën e armëve në Gramsh, duke thënë se u neutralizuan tre individë të dyshuar për spiunazh.
Në reagimin e tij, Rama nuk ka lënë pa sulmuar edhe opozitën.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai thotë se është trishtim që edhe për ngjarje delikat, “gjithëfarë gjelash laramanë ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mizerabël”.
“Çfarë trishtimi që edhe kur bëhet fjalë për një ngjarje kaq delikate sa ajo e Gramshit, gjithëfarë gjelash laramanë ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mizerabël!
Po edhe çfarë krenarie për rojet ushtarake që i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh”, shkruan Rama.