Bie Qeveria e Malit të Zi!
Përmes një seance maratonë prej 12 orësh diskutimi, Kuvendi i Malit të Zi ka votuar si përfundim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviçit. Me 50 vota pro dhe një kundër, nga 81 ulëse në parlament, legjislativi malazez kanë rrëzuar qeverinë e kryeministrit të parë shqiptarë në Malin e Zi, rreth 100 ditë nga formimi i saj.
Për rrëzimin e qeverisë ishin të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, sidoqoftë shumica ranë dakord për largimin e tij, pas klimës së tensionuar politike të krijuar nga nënshkrimi i marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe, që i hap rrugë mundësisë së futjes së arsimit fetar në shkolla.
Rrëzimin e Abazoviç e mbështetën deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviçit, Demokratët e Aleksa Beçiçit, Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partisë Boshnjake, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe Malit të Zi të Vërtet. Ndërkaq, nuk morën pjesë në votim deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA të Abazoviçit.
Qeveria e Abazoviçit do të funksionojë në mandat teknik deri në zgjedhjen e ekzekutivit të ri, raporton rtcg.
Gjatë fjalës së mbajtur pas humbjes së mocionit, Abazoviç u shpreh krenar për punën e ekzekutivit në krye të 100 ditëve, duke theksuar se do të kujtohen si qeveria që mori vendimet më të vështira.
“Jam shumë krenar për gjithçka që kemi bërë në 100 ditë. Ne do të kujtohemi si qeveria që zgjati më pak, por që mori vendimet më të vështira. Ne jemi këtu për të vazhduar luftën së bashku për një Mal të Zi civil, demokratik dhe ekologjik”- tha Abazoviç, ndërsa nuk i kurseu akuzat ndaj kundërshtarëve politikë për lidhje me krimin e organizuar.
“Përgëzoj koalicionin e ri të (Alekse) Beçiçit dhe Gjukanoviçit, jemi gati të pranojmë humbjen. Më vjen keq që krimi i organizuar në Mal të Zi vazhdon të përdorë tentakulat e tij për të rregulluar marrëdhëniet politike”, tha ai.
Abazoviç paralajmëroi se nëse palët politike negociiojnë për të formuar qeverinë e re para zgjedhjeve, në tavolinë, ai nuk do të marrë pjesë në to. “Dhe e kuptova se as SNP-ja nuk do të bëjë. Le të ulen në tavolinë Milo Gjukanoviç, Aleksa Beçiç dhe Damir Shehoviç dhe të bien dakord për një shumicë të re,” tha Abazoviç.
Kreu i qeverisë malazeze, ende në detyrë, u mundua të kryente disa manovra politike gjatë diskutimeve të kryera në seancën e jashtëzakonshme ditën e djeshme, kur ofroi madje edhe rikonstrukturimin e qeverisë. Nëntë deputetë të Lëvizjes Ura dhe Partisë Socialiste popullore të Malit të Zi firmosën iniciativën për ristrukturimin e ekzekutivit.
Parimet e nënshkruara të dokumentit përfshinin: forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, reformën zgjedhore dhe reformat ekonomike, me qëllim të përmirësimit të standardit jetësor, integrimet evropiane, bashkëpunimi rajonal dhe përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Sidoqoftë, iniciativa rezultoi pa sukses pasi disa orë më vonë Parlamenti rrëzoi qeverinë.
Por, çfarë përmban Marrëveshja Themelore e nënshkruan ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe, që shkarkoi kaq shumë tensione?
Marrëveshja parasheh rregullimin e marrëdhënieve në mes të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe me bazë në Beograd. Me marrëveshje, shteti njeh vazhdimësinë ligjore të kishës që nga viti 1219, gjashtë shekuj më shumë se Kisha Ortodokse Serbe në Serbi. Marrëveshja i jep Kishës Ortodokse Serbe kompetenca ligjore publike dhe hap mundësinë e futjes së arsimit fetar në shkolla.
Përveç kësaj, autoritetet shtetërore nuk mund të ndërmarrin masa sigurie në ndërtesat e kishave pa miratimin paraprak të autoriteteve kompetente të kishës, kurse shteti ka marrë përsipër të regjistrojë pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.