Himarë/ Banda policore “Arjan Tase” e kapur me drogë, u rikthye në polici me poste drejtuese. A do ta hetojë Gledis Nano?

Aktualitet

Publikuar: 08/08/2022

Himarë/ Banda policore “Arjan Tase” e kapur me drogë, u rikthye në polici me poste drejtuese. A do ta hetojë Gledis Nano?

Nëse Arjan Tase, nuk do kishte kryer vrasjen me skaf, nuk do ishte zbuluar fakti që ish-shefi i Komisariatit të Himarës, i prangosur për trafik droge, ishte liruar e ri-kthyer përsëri shef policie.

Më 13 dhjetor 2020, Policia e Vlorës, njoftoi se pas një hetimi 6 mujor e aksioni të koduar “Hapësira”, kishte arrestuar në flagrancë në Himarë, një grup të strukturuar kultivimi e trafiku prej 27 personash, mes tyre dhe 6 drejtues policie e inspektorë krimesh të Himarës.

Në krye të bandës policore të drogës, ishte Shefi i Komisariatit, Arjan Tase, i cili bëri bujë, sepse njihej si bashkëpunëtor i grupeve që kultivonin dhe trafikonin drogë në zonën e Himarës.

Skeda që ka dhe sot Policia e Vlorës, ka detaje që vërtetojnë, se  komisari Arjan Tase, ka qenë mbështetës e bashkëpunëtor i afërt i grupit trafikantë- polici “Lagji- Veshaj”, që kishte dhe ka kontrollin e linjës së skafeve të kokainës me bazë Karaburunin; por dhe i grupit mafioz “Helidon Gjikoka” që zapton me forcë e grabit me falsifikime troje në bregdetin e Himarës.

Paçka se me dosje i prangosur në flagrancë, kryepolici trafikant, Arjan Tase, brenda 24 orësh pas lirimit e lënies me masë penale “Detyrim paraqitje”, iu hoq masa e pezullimit nga detyra, ndërsa 4 ditë më pas, Ardi Veliu e çoi shef krimesh në Peqin e më pas Shef Policie në Elbasan.

Por skandali nuk mbaron me kaq, mbasi sipas një informacioni të ardhur në “Pamfleti”, përveç Arjan Tases, në polici janë rikthyer dhe 5 anëtarët e tjerë të bandës së tij policore të drogës.

Tmerr është, kur mëson se Artur Veshaj, ish-Shef i Krimeve të Policisë së Himarës, që u arrestua bashkë me Arjan Tasen për grup kriminal droge, pas lirimit nga burgu me masë “Detyrim paraqitje”, u emërua Shef Komisariati në Himarë, në vend të Arjan Tases.

Po kështu, direkt pas lirimit nga burgu me masën “Detyrim paraqitje”, u rikthyen përsëri në detyrë: Ilir Kadëna, Specialist Hetimi i Krimeve; Alem Llanaj, Shef i Patrullës së Përgjithshme.

U rikthye David Faka Inspektor Policie, por edhe Isa Jaçaj, i cili u arratis dhe pas 1 muaji u kthye në detyrë pa u prekur fare, megjithëse ishte me masë “Arrest me burg në mungesë”.

Dikush mund të thotë, u rikthyen se i liroi gjykata. Po! Gjykata i liroi, por i la me masën penale “Detyrim paraqitje”, dhe sipas ligjit për Policinë e Shtetit, për aq kohë sa ka masë penale, nuk mund të rikthehet as sanitarja në shërbimin policor.

Kush i riktheu në detyra më të larta, kur vetë Policia e Vlorës, i arrestoi në flagrancë e me shumë prova përgjimi, si bandë e përbashkët me kultivuesit dhe trafikantët e drogës?

Dosjet personale në Policinë e Shtetit, tregojnë se lojën e rikthimit të tyre e ka bërë ish- drejtori Ardi Veliu 4 ditë pasi u liruan nga burgu, duke u hequr masën e pezullimit e i emëroi përsëri, duke shkelur hapur ligjin për Policinë e Shtetit, mbasi banda e 6 oficerëve të Himarës, nga 17 dhjetori 2020 ishin me masë “Detyrim paraqitje” dhe në hetim e gjykim deri më 27 prill 2022.

A do urdhërojë drejtori Gledis Nano, hetimin e këtij skandali, së pari me pezullim të 5 oficerëve që janë rikthyer e graduar në shkelje të ligjit, si dhe të bëjë kallëzim penal për Ardi Veliun?

Mbasi drejtori Nano, ka 30 denoncime, që thonë se ata e vazhdojnë aktivitetin e drogës, sidomos grupi “Lefter Lagji- Artur Veshaj- Helidon Gjikoka”, për të cilët do flasim në vijim./Pamfleti