Albani i Sarandës u sulet me thikë klientëve të restorantit të tij që ankohen për faturat me çmime të larta, shpallet në kërkim policor

Kryesore

Publikuar: 08/08/2022

Albani i Sarandës u sulet me thikë klientëve të restorantit të tij që ankohen për faturat me çmime të larta, shpallet në kërkim policor

Faturat me vlera të çmendura në restorantet e Sarandës kanë nisur të prodhojnë konflikte fizike mes pronarëve dhe klientëve. Pronarët e disa restoranteve, nga etja e sëmurë për të fituar sa më shumë në një kohë të shkurtër, dhe duke e parë pushuesin si plaçkë, po turpërojnë Shqipërinë dhe njollosin vlerat e shqiptarit siç është mikpritja dhe zemërgjerësia.

Alban Çoba, rreth 48 vjeç, është pronari i restorantit në Sarandë. Çoba i është sulur me thikë në dorë një disa klientëve, të cilët janë ankuar për faturën e drekës që kishin konsumuar. Sipas tyre, çmimet ishin më të larta se sa në meny dhe se ishin shtuar produkte që nuk ishin konsumuar.

Në këto kushte, klientët kanë refuzuar të paguanin drekën që kishin konsumuar. Duke qenë se situata nuk ishte zgjidhur mes kamerierit dhe klientëve, kishte ndërhyrë vetë 48-vjeçari Çoba. Ky i fundit ka marrë një thikë në kuzhinë dhe u është sulur klientëve.

Policia është vënë në kërkim të 48-vjeçarit, por nuk e ka gjetur as në lokal dhe as në shtëpi e për rrjedhojë e ka shpallur në kërkim.