“Duhet të kisha vdekur unë dhe jo Jonada”, babai i 7 vjeçares që humbi jetën në Himarë: Ishim dorë për dore, pse s’më mori Zoti mua

Aktualitet

Publikuar: 03/08/2022

“Duhet të kisha vdekur unë dhe jo Jonada”, babai i 7 vjeçares që humbi jetën në Himarë: Ishim dorë për dore, pse s’më mori Zoti mua

Pedagogu Bislim Ahmetaj në një postim në rrjetet sociale ka zbuluar bisedën rrëqethëse me babanë e 7-vjeçarjes që u përplas për vdekje nga skafi që drejtohej nga komisari Arjan Tase, një ditë më parë në Potam të Himarës.

“Ma mori Zoti, ishim dorë për dorë, pse e mori atë e s’më mori mua…. Vetëm se duhet të kisha vdekur unë dhe jo Jonada”, janë këto fjalët që babai ka thënë mes lotësh.

Postimi i plotë:

Unë e ngushëllova Bledarin, babin e Jonadës. Familja Avdia i ka hapur dyert dhe pret ngushëllime për humbjen tragjike që pësuan dje nga arroganca dhe papërgjegjshmëria e shtetit që vret fëmijë.

Jonada me sy të kaltër e cila dje po pllaquritej në Jon dorë për dorë me babi Bledarin është mbyllur në arkmort , mbi të derdhen përrenj lotësh që krijojnë detin e dhimbjes nga mami, gjyshja dhe dhjetra gra e vajza veshur me të zeza që lëvizin si magmë e zezë në oborrin e shtëpisë ku jeton gjyshi i saj.

Dhe përgjigjet e rëmta nga familjarët që presin në këmbë: Ju lumshin kambët, faleminderit që keni ardhë, në gëzime jua kthefshim…

Bledari i jati i Jonadës, mundohet të përmbahet, të bëj burrin e fortë të malsisë, por nuk e lejon dhimbja që i pëlcet në shpirt: Ma mori Zoti, ishim dorë për dorë, pse e mori atë e s’më mori mua.

Ta mori krimineli me uniformë, por s’ke ça me ba duhet me ba durim-ja kthej unë. Ehhh- ofshan- Ja la Zotit, vetëm se duhet të kisha vdekur unë dhe jo Jonada- thotë mes lotësh Bledari që erdhi për të parë prindërit, të afërmit dhe për të pushuar në bregun e detit Jon, ku la shpirtin e tij.

E piva shpejt e shpejt atë kafe helm dhe ika i helmuar thellë në shpirt nga kjo tragjedi familjare, por jo vetëm.
Ajo është tragjedia e çdo familje, ajo është tragjedia jonë kombëtare që duhet ta ndalim me çdo formë, me çdo mjet