Ky është ish-shef i komisariatit të Himarës që përplasi fëmijën, i arrestuar për drogë

Aktualitet

Publikuar: 02/08/2022

Ky është ish-shef i komisariatit të Himarës që përplasi fëmijën, i arrestuar për drogë

Ky është Arjan Tase, me gradën Komisar dhe me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan që ka goditur për vdekje me gomone fëmijën sot në plazhin e Potamit.

E mitura Joanda Avdia ishte duke u larë në det ku është përplasur fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në Plazhin e Potamit, një plazh i mbi populluar. Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime.

Drejtuesi i gomones është shefi i policimit në komunitet në Elbasan, i identifikuar si Arjan Tase dhe është shoqëruar në polici ku drejtuesi i prokurorisë, Aurel Zarka ka urdhëruar arrestimin e tij.

Ai ka qenë Shefi i Komisariatit të Himarës, por u arrestua pas një operacioni antidrogë, megjithatë, u rikthye sërish në Polici.

Ai po drejtonte mjetin lundrues tip Gomone, me dy motorë 2 x 300 hp rreth 7 m me emrin “Nëna 154” i cili ka qenë edhe me dy persona të tjerë në bord. Në vendin ku ka ndodhur ngjarja nuk ka patur korridor të miratuar për hyrjen dhe daljen e mjeteve lundruese.

Kjo nuk është hera e parë gjatë këtij sezoni veror që ka pasur persona të plagosur si pasojë e mjeteve lundruese që humbin kontrollin. Manovrat e rrezikshme disa here u kanë rrezikuar jetën pushuesve, siç ka ndodhur në Jalë, ku drejtuesi i një skafi Gjergj Priftuli aksidentoi një çift pushuesish.

Për disa javë, njëri prej pushuesve mori trajtim në spitalin e Traumës pasi ishte në gjendje të rëndë. Aktualisht të dy janë jashtë rrezikut për jetën.

Një tjetër rast i rëndë ndodhi në plazhin e Jonufrës, ku një 40-vjeçar duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone dëmtoi një fëmijë 7-vjeçar që ishte duke notuar në afërsi të bregut. Fatmirësisht ishte jashtë rrezikut për jetën.

Ditën e diel, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano doli në një konferencë për mediat ku i dha urdhër Policisë Kriminale që të dalin në terren dhe të patrullojnë vijën bregdetare për të parandaluar çdo manovër të rrezikshme të mjeteve lundruese.

Mirëpo, një deklaratë e tillë duket se nuk ka gjetur zbatim në terren pasi në çdo plazh të vendit tonë ka skafe që kryejnë manovra të rrezikshme duke rrezikuar pushuesit. Vetë gazetari i Report Tv nga Vlora, Armand Xhelili e ngriti si shqetësim ku vija bregdetare e plazhit është e mbushur me mjete lundruese me apo pa leje, të cilët janë shndërruar në një problem serioz për pushuesit.