Zbardhet itinerari i Brilant Martinajt dhe miqve të tij para masakrës! Kush i tradhtoi të rinjtë dhe çfarë u zbulua nga TIMS-i (Dëshmi+detaje)

Aktualitet

Publikuar: 20/07/2022

Zbardhet itinerari i Brilant Martinajt dhe miqve të tij para masakrës! Kush i tradhtoi të rinjtë dhe çfarë u zbulua nga TIMS-i (Dëshmi+detaje)

Të tjera detaje vijojnë të dalin në dritë nga masakra në Fushë Krujë, ku e ekzekutuan me breshëri plumbash tre të rinjtë Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha, e më pas u dogjën brenda makinës. Gazetarja Klodiana Lala zbardh për “BalkanWeb” itinerarin e lëvizjes së viktimave, para ekzekutimit mafioz me mbi 90 plumba te mbikalimi i Fushë Krujës.

Siç raporton gazetarja Lala për “BalkanWeb”, të tre viktimat kanë drekuar së bashku në Fushë Krujë, para se të shkonin te një servis në zonën e Tapizës, ku kishin çuar makinën për ta rregulluar. Pas drekës, ata kanë lënë makinën e tyre aty dhe kanë shkuar te servisi me një makinë tjetër, shoqëruar nga një mik i tyre, ku kanë qëndruar rreth 30 minuta

Gazetarja Lala raporton se punonjësi i servisit iu ka thënë viktimave se nuk kishte mbaruar punën me makinën dhe se i duhej edhe ca kohë për ta riparuar. Në dëshminë e dhënë para hetuesve, të siguruar për “BalkanWeb” nga gazetarja Lala, punonjësi i servisit është shprehur se “Kanë ardhur dhe janë interesuar për makinën. Unë ju kërkova më shumë kohë dhe ata u larguan”.

Kështu, që të tre janë rikthyer sërish në Fushë Krujë, te vendi ku kanë drekuar, kanë marrë makinën e tyre tip “Passat” dhe janë larguar, drejt mbikalimit, aty ku janë gjendur përballë breshërisë së plumbave. Qëndrimi i viktimave te servisi në zonën e Tapizës është edhe momenti i fundit ku ata shfaqen në kamerat e sigurisë.

Ndërkohë, nga kontrollet e kryera në Nikël, menjëherë pas masakrës së trefishtë, RENEA ka verifikuar se pjesa më e madhe të personave të shoqëruar, të cilët janë me rekorde kriminale, rezultojnë të jenë jashtë vendit, sipas të dhënave të sistemit TIMS.