Kodrat e Kepit të Rodonit përfshihen nga flakët, shpresë për zjarret vetëm… shiu

Aktualitet

Publikuar: 17/07/2022

Kodrat e Kepit të Rodonit përfshihen nga flakët, shpresë për zjarret vetëm… shiu

Një vatër zjarri është shfaqur në kodrat pranë Kepit të Rodonit në Durrës, duke djegur sipërfaqe toke me bimësi të ulët dhe shkurre.

Pranë vendit ku është shfaqur flakët nuk ka shtëpi banimi.

Për shkak të pozicionit gjeografik, pa rrugë automobilistike nuk është ndërhyrë me mjete zjarrfikëse, por vetëm me punonjës që shuajnë zjarrin me mjete rrethanore.

Sipas burimeve nga reparti zjarrfikës, situata po vihet nën kontroll dhe nuk ka rrezik përhapjeje.

Ndërkohë një tjetër vatër zjarri është shfaqur në një pyll në Shetaj të Ishmit dhe po punohet për fikjen e flakëve.

Ministria e Mbrojtjes ashtu si vitet e tjera, vijon të shfaqë mungesën e kapaciteteve për situata të tilla emergjente ku ndonjëherë duket se shpresa e vetme për shuajtjen e flakëve mbetet shiu.