Shullazi kërkon daljen nga izolimi 41 bis, Gjykata e Lartë rikthen kërkesën në Apel. Ja çfarë thotë Kushtetuesja

Kronike

Publikuar: 08/07/2022

Shullazi kërkon daljen nga izolimi 41 bis, Gjykata e Lartë rikthen kërkesën në Apel. Ja çfarë thotë Kushtetuesja

Gjykata e Lartë ka rikthyer për shqyrtim ankimin e Emiljano Shullazit, i cili kërkon që të dalë nga regjimi i izolimit 41 bis. Shullazi u ankua në Gjykatën e Apelit, por kërkesa e tij u refuzua.

Gjykata e Lartë ka thënë se në vendimin e Apelit ka pasur parregullsi si dhe duhet ta shqyrtojë një tjetër trup gjykues. Nëpërmjet mbrojtjes, Shullazi është ankuar për shkelje të të drejtave të njeriut pas izolimit në regjimin 41 bis.

Prej 1 gushtit të vitit të kaluar, banda e Emiljano Shullazit, por edhe Arbjon Aliko dhe Genci Balla janë të dënuarit e parë që provojnë qelitë e izolimit. Transferimi i Emiljano Shullazit, Blerim Shullazit, Gilmando Danit, Endrit Zelës dhe Endrit Qyqjes nga qelia e zakonshme e vuajtjes së dënimit në atë të izolimit sipas rregullave të reja në fuqi, erdhi pas miratimit të legjislacionit shtrëngues dhe pas deklaratës së drejtuesve më të lartë të shtetit për nisjen e regjimit ’41-bis’.

Pas 83 seancash gjyqësore të zhvilluara në dy vite, Gjykata e Posaçme e Apelit dënoi me vendim të formës së prerë me 55 vite burg Emiliano Shullazin dhe grupin e tij, nën akuzën e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.

Emiliano Shullazi është dënuar me 14 vite burg, ndërsa me 12 vite burg u dënua Gilmando Danin, Endrit Qyqja me 10 vite, Indrit Zela me 10 vite dhe Blerim Shullazi me 9 vite burg.

Emiljano Shullazit vijon ndërkohë të jetë në hetim nga SPAK  për dy vrasje, ngjarje kjo e ndodhur në muajin shkurt 2005 në Tiranë.

Pozitat e Shullazit u rënduan pas rrëfimeve të të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi. Ndërkohë, SPAK ka parandaluar zbatimin e një plani për eliminimin fizik në Burgun e Drenovës të të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi, i cili me rrëfimet e tij tronditëse ka zbardhur disa krime të vjetra, duke veshur me përgjegjësi penale përfaqësues të krimit të organizuar në Shqipëri.

Elton Goskova, i njohur si Reqi i Korçës, bashkë me Ervis Kosovën, kishin tentuar të korruptonin familjarët e Reçit, me qëllim për të ndryshuar dëshminë për disa vrasje të bujshme.

Ata janë paraqitur si të dërguar nga Shullazi, ndërsa i kanë ofruar Reçit 260 mijë euro për ndryshimin e dëshmisë.

Më pas ata e kanë kërcënuar dhe tentuar ta eliminonin Reçin, me anë të helmimit në burg.

Gjykata Kushtetuese

Izolimi i Emiliano Shullazit në regjimin ’41 Bis’ është i vlefshëm dhe qëndron, por procesi i zhvilluar ndaj tij në Apelin e GJKKO i janë shkelur të drejtat themelore Kushtetuese. Ky ishte arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me ankimin e Shullazit për vendimin për qëndrimin e tij në qelitë e izolimit.