Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Bleti Angjo, Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj, të cilët dyshohen si autorë të vrasjes së 26-vjeçarit Martin Çeço në fshatin Kolanec të Maliqit.
Më 12 Qershor ata dyshohet se e mbytën me litar të riun dhe e hodhën në rezervuar, ku trupi i pajetë u gjet pas disa ditësh. Shkak i krimit dyshohet se ka qenë një vajzë, e cila kishte krijuar një lidhje paralele me viktimën dhe një nga autorët.
Burime bëjnë me dije se para hetuesve, dy kushërinjtë Valter dhe Edlir Mollaj e kanë mohuar krimin, duke thënë në sallën e gjyqit se “Ne nuk kemi faj”.
Mirëpo, autori tjetër, Bleti Angjo, i cili ka qenë i punësuar si çoban tek Valter Mollaj, është pa shkollë dhe nuk dinte as të fliste dhe as nuk kuptonte çfarë bëhej në sallën e gjyqit, ka drejtuar gishtin pikërisht tek 26-vjeçari Valter Mollaj si ekzekutor i krimit.
Ai ka bashkëpunuar me organet duke treguar që të tre të arrestuarit kanë qenë së bashku në mjet kur e kanë marrë nga banesa Martin Çeçon, dhe më pas e kanë çuar drejt rezervuarit ku e kanë mbytur me litar dhe e kanë hedhur në ujë.
Nga ana e saj, edhe Prokuroria ka pretenduar në gjyq se Valter Mollaj ka pasur marrëdhënie me vajzën, dhe sipas Akuzës, ai pretendohet si ekzekutori i të riut.