Sigurohen pamjet e hotelit luksoz, që u sekuestrua ditën e sotme nga policia e Korçës.
Hoteli me vlerë 15.100.000 lekë është ne pronësi të Erion Demollit, 35 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, pas një periudhe dyvjeçare hetimesh, u bë ekzekutimi i vendimit të datës 08.06.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për vendosjen e sekuestros preventive për një pasuri me sipërfaqe 182 m² truall, ndërtesë 147 m² dhe kat shtesë 176 m², në rrugën “Naum Voskopoja”, Korçë.
Kjo ndërtesë funksiononte si hotel dhe ishte në pronësi të shtetases L. K., 60 vjeçe, banuese në Korçë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se kjo pasuri ka rrjedhur nga aktiviteti kriminal i shtetasit E. D., 34 vjeç, banues në Korçë, i cili është dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Të ardhurat e fituara nga aktiviteti kriminal, ky shtetas dyshohet se i ka investuar në biznesin në emër të shtetases L. K., me të cilën ka lidhje familjare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme hetimore.