Killeri Besjan Xhixha nis të flasë: Dumani ka bërë 12 vrasje, na tha se ka lidhje me ministra, deputetë dhe prokurorë

Kronike

Publikuar: 21/05/2022

Killeri Besjan Xhixha nis të flasë: Dumani ka bërë 12 vrasje, na tha se ka lidhje me ministra, deputetë dhe prokurorë

Anëtarët e grupeve kriminale kanë nisur të flasin për krimet e njëri-tjetrit. Pasi Nuredin Dumani fundosi 31 shokë dhe kundërshtarë, duke rrëfyer krime të tmerrshme, tashmë edhe të akuzuarit prej tij kanë nisur ta lëshojnë gojën.

Një prej të arrestuarve, Besjan Xhixha, 31 vjeç, tha sot në Gjykatën Speciale se Dumani ka bërë 12 vrasje, duke shtuar se nuk i ka treguar të gjitha.

Xhixha ka thënë se Nuredin Dumani pas çdo vrasje u jepte siguri se nuk do t’i ndodhte asgjë, pasi kishte lidhje me ministra, deputetë, prokurorë, madje duke theksuar edhe emra hetuesish.

Vetë Xhixha është në burg prej 1 viti, për vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës.

Dëshmia e Besjan Xhixhës në gjyq:

Nuredin Dumani ka kryer 12 vrasje. Pas çdo vrasje, na ka thënë se nuk më gjen asgjë, pasi ka lidhje me ministra, deputetë, prokurorë, madhe më ka thënë që ka lidhje me prokurorin Altin Dumani. E ka njeriun e vetë dhe ndihej i mbrojtur. Dumani është strehuar më shumë sesa një vit e gjysmë në shtëpinë time dhe e njoh dhëmbë e dhëmballë, madje një dhemb prej floriri e kemi vendosur tek një i afërmi im, nëse doni shkoni e verifikoni. Dumani duhet të flasë për të gjitha krimet që ka kryer, nëse me të vërtetë është i penduar.