Ish-deputeti Spartak Braho ka paralajmëruar se do të publikojë fakte pas sulmit të kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK. Braho u shpreh se duhet të bëjë disa verifikime dhe do t’i duhet edhe një javë për publikimin e tyre.
“Unë do pres edhe një javë, më duhet të bëj verifikime. Ka çështje në hetim. Të majtë dhe të djathtë. Stuhia e faktit po punohet nga SPAK. Le të mos ndalemi në emra konkretë por le të themi edhe njëherë, lajmë duart nga SPAK.
Në momentin kur politika përfshihet te drejtësia e bën të pasigurt prokurorin. Edhe ata prokurorë njerëz janë Këta prokurorë në SPAK dhe BKH kjo maxhorancë i emëroi. Tani pse i sulmon. Lëri të punojnë. Edhe krahu i Sali Berishës duhet hetuar. Këto janë probleme të cilat kërkojnë vëmendje të veçantë. Prokurori është njeri si të gjithë të tjerët”, deklaroi Braho.
Ai u shpreh se prokurorët duhet të mbrohen me ligj nga shteti, ndërsa shtoi se vendin tonë mund ta shpëtojë vetëm drejtësia.
“Një prokuror model duhet të krijohet për të pasur imazhin si duhet të jetë prokurori. Prokurori punon mbi bazën e një ligji.
Në kushtet e presionit mbi anëtarët e familjes, Na duhen prokurorë të një cilësie të veçantë karakteriale. Të ndershëm. Prokurorët duhet të mbrohen me eskorta të posaçme. Kjo kërkon ligj. Që të detyrojë shtetin të mbrojë prokurorin.
SPAK nuk ka dështuar dhe nuk besoj të dështojë. SPAK është fryma që ka një mbështetje të gjerë shprese në popull. Shteti e krijoi këtë strukturë me idenë që këta luftëtarë duhen mbështetur. Edi Ramës kur i kujtohet të hajë ndonjë drekë me peshq dhe ngjala i kujtohen këto.
Ai nuk e di çfarë është hetimi. Këtë shtet, këtë vend e shpëton vetëm drejtësia nga plaga, nga qelbi, nga korrupsioni i madh. Prandaj i them Ramës larg, mos flit më për SPAK. E ke prishur në maksimum këtë punë. Ngatërron edhe veten, edhe partinë”, tha Braho.
Spartak Braho i ka konsideruar lajthitje deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me SPAK-un.
Braho i bëri thirrje kreut të qeverisë që të mbyllë gojën dhe mos të japë asnjë këshillë për SPAK-un.
Sipas tij, Prokuroria e Posaçme ka një strukturë dhe organizim të vetën, dhe nuk ka nevojë për sugjerime.
“Kryeministri kot merret me këtë histori. Larg duart nga SPAK-u. Janë strukturë më vete. Është pushtet më vete. Ka dëgjuar ai që të merret me duart e kryeministrit? I bëj thirrje edhe njëherë, s’ke punë fare.
Mbylle gojën dhe mos jep asnjë sugjerim, asnjë këshill. SPAK-u e di punën e tij, ka ligjet e veta. Këto organe po s’patën pavarësinë e tyre, nuk mund të funksionojnë. Mos i thuaj në mbledhje partie.
Në mbledhje partie mos e thuaj, thuaje në zyrën e Kryeministrit. Është lajthitje e madhe. Natyrisht plotësimet që bëri më pas ministri i drejtësisë, ishin më të matura. Më të përgjegjshme. Por ky njeri nuk rri rehat, kërkon të fusë hundët gjithandej. Kur them lajthitje, brenda lajthitjes përfshihen të gjitha, presione, frikë dhe u thotë që jam mbi ligjin.
Kryeministri nuk është shteti, është pushteti dhe pushteti është strukturë ekzekutive e veçantë dhe e pavarur në katër shtylla. Mos u merr me SPAK-un në mënyrë kategorike. SPAK-u ka dhënë sot llogari për raportin e 2021-it” – tha Braho.