Aleanca e korrupsionit/ Pse Berisha- Meta nuk e sulmojnë drejtuesen e ILDKP Evgjeni Bashari dhe kreun e ‘Pastrimit të Parave’ Elvis Koçi

Aktualitet

Publikuar: 06/05/2022

Aleanca e korrupsionit/ Pse Berisha- Meta nuk e sulmojnë drejtuesen e ILDKP Evgjeni Bashari dhe kreun e ‘Pastrimit të Parave’ Elvis Koçi

Dy drejtues të dy institucioneve shumë të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave në Shqipëri, çuditërisht nuk atakohen dhe nuk sulmohen kurrë nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, binomi simbol i korrupsionit, krimit, shantazhit dhe mashtrimit me pasuritë.

Ata janë Kryeinspektorja e Përgjithshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), Evgjeni Bashari dhe kreu i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave Elvis Koçi.

Këto drejtues nuk janë kritikuar dhe as akuzuar kurrë nga Ilir Meta dhe Sali Berisha, as kur janë zgjedhur dhe as gjatë detyrës. Sigurisht, dyshja në fjalë nuk kritikohet as nga kokat e tjera të politikës, rrethi apo mediat pranë tyre.

Ilir Meta dhe Sali Berisha nuk kanë lënë drejtues, kryeprokuror, gjyqtar, ambasador pa sulmuar, pa shpallur mafioz, të korruptuar, vegël të Edi Ramës etj., por për dy zyrtarët e lartpërmendur nuk kanë thënë asnjë fjalë.

Po pse vallë?

Arsyeja është e thjeshtë. Evgjeni Bashari dhe Elvis Koçi janë dezertorë të luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, dhe çdo dezertor në këtë luftë, është automatikisht aleat me Sali Berishën, Ilir Metën dhe sigurisht edhe me ministrat, drejtorët dhe kryebashkiakët e korruptuar të Edi Ramës.

Po sjellim vetëm disa nga faktet se pse janë dezertorë të luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. Prokuroria ka dërguar këtë ditë në Kuvend raportin e veprimtarisë së punës vjetore për vitin 2021. Në raport, thuhet se është regjistruar vetëm një procedim penal gjatë një viti për fshehje pasurie dhe pastrim parash nga zyrtarët e lartë, të cilët nuk i kap kompetenca e SPAK-ut. Bilanci i turpshëm flet vetë, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se korrupsionit ka kapur çdo degë të qeverisjes.

Nga ana tjetër, ILDKPKI ka falimentuar në drejtimin e Evgjeni Basharit, e cila më parë ka qenë sekretare. Nga mbi 70 kallëzime penale që bëheshin në vit për zyrtarë të lartë për fshehje pasurie, Evgjeni Bashari e ka ulur në 17 numrin e kallëzimeve, madje edhe këto 17 janë nivele të ulëta. ILDKP tashmë është kthyer në mburojë e pasurive dhe parave të pista të zyrtarëve të lartë në Shqipëri, si në kohën e Zana Xhukës dhe Adriatik Llallës. Ky institucion tashmë merret vetëm me trajnime, udhëtime luksi dhe tryeza klishe, ndërsa ka sabotuar misionin për të cilin është ngritur.

ILDKPKI ka hedhur në erë edhe investimin e SHBA-BE për të rritur kapacitetet për konstatimin e pasurive të krijuara me para të pista. ILDKPKI ka 5 vite që thotë se do të publikojë deklaratat e pasurisë online, por edhe këtë proces po e mban peng me urdhër politik. Një parlament serioz duhet të mblidhej urgjentisht që ose ta reformonte ose ta shkrinte këtë institucionin, tashmë parazitar që vetëm konsumon para publike, pa asnjë produkt.

Edhe Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave është kthyer në ombrellë e pastrimit të parave të pista. Në mes të Tiranës, në Astir, tek zona e Liqenit etj., pastrohen hapur në ndërtim paratë e drogës dhe prostitucionit.

Në vitin 2020, Shqipëria është rikthyer në listën gri të vendeve që paraqesin rrezik për pastrimin e parave për shkak të deficencave strategjike të gjetura nga Task Forca për Veprim Financiar (FAFT) e MONEYVAL, që është një mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Evropës që ka detyrën të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.

Elvis Koçi, me mbështetjen e Edi Rama, po e çon Shqipërinë drejt listës së zezë për pastrimin e parave./Pamflet