Zelensky i drejtohet popullit shqiptar: Mirënjohës për rolin në OKB! Mbështetja juaj, na kujton Nënë Terezën! Rama: I gjithë kombi ynë me ju

Aktualitet

Publikuar: 03/05/2022

Zelensky i drejtohet popullit shqiptar: Mirënjohës për rolin në OKB! Mbështetja juaj, na kujton Nënë Terezën! Rama: I gjithë kombi ynë me ju

Mirënjohje për rolin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara përcolli Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në mesazhin e tij para ligjvënësve shqiptarë, nëpërmjet një video call. Ai tha se mbështetja e Shqipërisë në këto kohë të vështira për ta, i kujton Nënë Terezën, shqiptaren që u kthye në simbolin e humanizmit në të gjithë botën.

Zelensky nuk la pa përmendur as disa nga tmerret që po përjeton populli i tij nën bombardimet ruse, ku tha se për ta nuk ka më paqe që prej 24 shkurtit, kur nisi pushtimi dhe se nuk ka asnjë ditë ku të mos vritet një fëmijë. Presidenti ukrainas kujtoi edhe muajin e Ramazanit dhe tha se myslimanët ukrainas nuk patën një ditë të qetë gjatë këtij muaji të shenjtë. 

Zelensky nuk la pa kritikuar as Serbinë, duke e cilësuar si një vend në Rajon që nuk e kanë dënuar haptazi agresionin rus dhe se ka marrë miliarda mallra nga Rusia që kur kjo e fundit sulmoi Krimenë, në vitin 2014.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama i garantoi Presidentit ukrainas mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, ndërsa vlerësoi rezistencën e tyre përballë agresionit rus si një ‘shërbim i çmuar për botën demokratike, deri dje të përgjumur’.

Duke pranuar se ndihma që Shqipëria mund t’i japë Ukrainës është fare në modeste në krahasim me nevojat që ka vendi në luftë, Rama theksoi se megjithatë Shqipëria ka fjalën e saj në OKB dhe NATO të cilën mund ta shfrytëzojë në mbështetje të Kievit.

Seanca dedikuar luftës në Ukrainë dhe suportit ndaj saj u mbajt rreth orës 13:00. Që prej nisjes së konfliktit Rusi-Ukrainë, vendi ynë është rreshtuar krah vendeve anëtare të NATO-s dhe OKB në qëndrimin pro Ukrainës dhe sanksioneve ndaj Rusisë.