Shkarkohet prokurorja e dosjeve të bujshme Elizabeta Imeraj. KPA: Mangësi në të tre kriteret e vlerësimit! Ushtroi presion ndaj ONM

Kryesore

Publikuar: 27/04/2022

Shkarkohet prokurorja e dosjeve të bujshme Elizabeta Imeraj. KPA: Mangësi në të tre kriteret e vlerësimit! Ushtroi presion ndaj ONM

Shkarkohet Elizabeta Imeraj, prokurorja e dosjeve të bujshme del përfundimisht jashtë sistemit.

Elizabeta Imeraj, një nga prokuroret më të njohura në vend, aktualisht Drejtuese e Prokurorisë se Tiranës, del përfundimisht nga sistemi. Imeraj, e cila njihet se prokurorja e dosjeve të bujshme është shkarkuar nga detyra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas seancave maratonë të zhvilluara si rrallë herë në procesin e vettingut.

Drejtuesja e trupës gjykuese, Ina Rama tha se nuk justifikon pasurinë.

“Për pasurinë 2500 m2 tek ish fusha aviacion subjekti s’ka burime të ligjshme. Po ashtu edhe për tokën arë të ndodhur në Mullet s’ka burime. Për apartamentin  ndodhur në Tiranë prej 66 m2 dhe shtesë subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pasaktë. Për shlyerjen e kredive të marra në 2006 dhe në 2008 subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur kanë patur pamjaftueshmëri për shlyerjen e këtyre kredive”, tha ajo.

Sipas saj për figurën rezulton se subjekti ka mohuar faktet për ish- kunatin, duke treguar jo korrektësi të magjistratit.

Një javë më parë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u zhvillua  seanca ndaj drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj, ku palët dhanë konkluzionet përfundimtare. Në përfundim të 6 orëve seancë, u vendos që vendimi përfundimtar nëse do të përjashtohet ose jo nga sistemi i drejtësisë do të jepej sot (27 prill).

Imeraj kërkoi që të lihet në fuqi vendimi i KPK që e konfirmoi në detyrë, teksa komisioneri Publik Florian Ballhysa, në raportin e tij kërkoi shkarkimin e saj me argumentin se nuk plotëson asnjë nga tre kriteret e vetting. Sipas tij, ankimi është paraqitur brenda afatit dhe është ligjërisht korrekt. Ballhysa ka thënë se sa i përket pasurisë Imeraj në deklaratat nga viti 2004 deri në vitin 2016 s’ka deklaruar asnjë pasuri që lidhet prej regjimit martesor. Lidhur me truallin me sipërfaqe 2500 m2, ndodhur në Tiranë komisioneri publik tha se Imeraj as në proceset në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nuk provoi të kundërtën e asaj që ka gjetur Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.