Presidenti do të jetë një person i emëruar nga Rama, bie kështjella e fundit, Boçi: Nuk mund të bëhet me plarforma individuale

Aktualitet

Publikuar: 17/04/2022

Presidenti do të jetë një person i emëruar nga Rama, bie kështjella e fundit, Boçi: Nuk mund të bëhet me plarforma individuale

Deputeti Luçiano Boçi, anëtar i Komisionit të Rithemelimit ka folur sot nga Elbasani për procesin e bashkimit të Partisë Demokratike.

Ai ka deklaruar se bashkimi nuk mund të arrihet me shpikje platformash të cilat i quajti individuale për sa kohë nuk kanë marrë miratimin e grupit parlamentar të PD.

“Nuk mund të arrihet bashkimi me thirrje apo emocione dhe as me shpikje platformash. Bashkimi realizohet me vullnetin e partive politike. Unë gjykoj që vetëm këto akte dhe procese zgjedhore do na çojnë drejt një bashkimi real.
Platformat ndonjëherë kanë prapavija dhe kanë mungesë sinqeriteti. Kam kërkuar që këto platforma duhet të marrin miratimin e kryesisë së grupit parlamentar. Unë kam lexuar platforma që janë individuale”, u shpreh ai.

Boçi u ndal edhe te zgjedhja e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë. Ai theksoi se opozita nuk ka ndonjë interes të madh për këtë çështje, për sa kohë, sipas tij ai është një pozicion që caktohet nga kryeministri Edi Rama.

“I qëndroj mendimit të dhënë më përpara. Vetë opozita nuk ka ndonjë interes të madh për çështjen e presidentit. Rama ka kapur të gjitha pushtetet dhe i kishte ngelur vetëm presidenti. Ka ardhur momenti dhe personalisht nuk kam asnjë dyshim që do e kapë atë post duke vendosur një person që do i bindet atij.

Do jetë një person i emëruar nga Rama. Kështjella e fundit e një pushteti të pavarur bien ë Shqipëri. Shqipëria është një regjim që drejtohet nga një bandë e organizuar. Jo presidenti të zgjedhë ai vetë, por prapë një ditë ai dhe banda e tij do japin llogari. Unë kam kërkuar që mendimi të jetë i konsultuar sipas rregullave statutore të Partisë Demokratike.

Unë kam kërkuar rrugën e drejtë ligjore. Grupi parlamentar do dalë me një vendim pavarësisht opinioneve dhe mendimeve të ndryshme në momente të caktuara. Mendoj se do kemi një qëndrim të përbashkët s ai takon qëndrimit të PD në procesin e zgjedhjes së presidentit”, u shpreh ai.