Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka lënë sallën e Kuvendit, menjëherë pasi drejtuesja e seancës i dha fjalën për të folur ish-kryeministrit Sali Berisha.
Basha është kapur nga kamerat duke folur në telefon, ndërsa ka dalë nga salla.
Gjatë ditës së sotme, ka pasur përplasje në distancë mes Lulzim Bashës dhe Berishës, kryesisht për llogaridhënien që duhet të kenë secili prej tyre ndaj dosjeve të hapura.
Basha i bëri thirrje SPAK që të nisë hetimet për Berishën, njësoj siç ka kërkuar më herët dhe Rama, ndërkohë që ish-kryeministri tha se ish-kreu i PD-së nuk shkon dot në SHBA pasi ka dosje të hapura.