Inez Hajrulla, një nga emrat më të njohur policorë në qytetin e Vlorës, është shfaqur paraditen e sotme në gjykatën e qytetit, ku ishte thirur nga prokuroria si dëshmitar, për ngjarjen e 10 Majit 2019, të ndodhur në kompleksin “Oslo” në Vlorë.
Hajrulla, i cili sipas prokurorisë rezulton të ishte dhe objektivi i sulmit me armë në Vlorë, ju përgjigj pyetjeve të prokurorit dhe tre gjyqtarëve, Pëllumb Zaimi, Adelajda Gjuzi dhe Entela Gjoni, mbi rrethanat e ngjarjes të ndodhur në ambjentet e një lokali në zonën e “Lungomares”, në 10 maj 2019.
Bashkë me Inez Hajrulla mësohet se në gjykatë u paraqitën dhe dëshmuan dhe dy shokë të tij, shtetasit Ervis Matodashaj dhe Arbër Shollaj.
I pari që ka dëshmuar ka qënë Inez Hajrulla, i cili i tha trupit gjykues se paraditen e 10 Majit 2019, ka qëndruar së bashku me shoqërinë e tij, në ambjentet e një lokali në zonën e “Lungomares” në Vlorë.
Por teksa qëndronin, ka dëgjuar të shtëna me armë dhe ka vënë re se njerëzit po iknin në mënyrë të ç’regullt.
Hajrulla shtoi në gjyq se për shkak të gjëndjes së tij shëndetësore, nuk mund të vraponte dhe largohej shpejt siç bënë të tjerët, por ka qëndruar në lokal. Ai i tha gjykatës se nga një automjet që në pamje të parë ju duk si “Land Rover”, ka parë një person që doli me automatik dhe u drejtur me vrap drejt lokalit.
“…unë sapo pashë këtë person që po vinte drejt lokalit, kam nxjerë nga çanta marsup një pistoletë imituese lodër, dhe kam filluar të qëlloj. Nuk e mbaj mend sa herë kam qëlluar, por di që një gjë të tillë, e kam bërë disa herë me rradhë. Për shkak të të shtënave që bëra, personi që zbriti nga makina dhe kishte armë automatike në dorë, është kthyer sërisht prapa dhe ka hipur në makinë, duke u larguar drejt qytetit…”, ka deklaruar Inez Hajrulla.
Ky i fundit i ka thënë gjyqtarëve se nuk ka mundur të njohë asnjë nga autorët që i sulmuan me armë, kjo edhe për shkak të tronditjes së momentit.
Ndërsa asnjë nga personat e arrestuar nga prokuroria për këtë çështje, Hajrulla, deklaroi se nuk kishte pasur njohje dhe konflikte më parë.
Ai shtoi në gjykatë, se armën tip pistoletë lodër, kishte ardhur dhe ja mori nga dora, shoku i tij, Ervis Matodashaj, i cili më pas është larguar me vrap. “…nga vendgjarja jam larguar dhe unë. Por kur mësova se policia më kërkonte dhe kishte nxjerë në kërkim, kam vendosur të dorëzohem, duke shpjeguar situatën që ka ndodhur…”, është shprehur Hajrulla.
Pas dëshmisë së tij, para trupit gjykues dolën dhe dëshmuan dy shokët e Hajrullës, Ervis Matodashaj dhe Arbër Shollaj. Të dy dëshmuan çfarë kishin parë ditën e ngjarjes, dhe vendin ku Ervis Matodashaj kishte fshehur pistoletën lodër.
Për këtë ngjarje, prokuroria e Vlorës fillimisht arrestoi 10 persona, ku 4 prej tyre janë dënuar. Ndërsa për Daut Elmazin, Fatmir Hyseni alias “Doqja”, Igli Memaj, Gentian Dautaj, Serxhio Cima dhe Albano Goxhaj, procesi gjyqësor është duke vijuar në gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë.
Në muajin korrik 2021, gjykata për këtë ngjarje dënoi Xheladin Merkaj me 4 vjet vjet burgim për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit” dhe “Moskallëzimit të krimit”.
Për të dyja këto akuza, me tre vite burgim është dënuar i pandehuri tjetër, Ardjan Ahmeti. Me dy vite burgim është dënuar Dejvison Serjani, për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”. Ndërsa një vajzë me emrin Nensi Shaqiri, e marë e pandehur për këtë ngjarje për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”, është dënuar me 1 vite e 6 muaj burgim.