Efektivët e komisariatit Nr.6 në Tiranë, kanë bërë arrestimin e biznesmenit të bananave Eduard Dauti, i cili rezulton i shpallur në kërkim qysh prej muajit qershor 2021, fillimisht me vendim të Gjykatës së Durrësit dhe më pas nga SPAK.
Dauti është pronari i kompanisë “Alba Exotik Fruits” në Tiranë, një kompani kjo që kryen importimin e frutave nga Ekuadori në Amerikën Latine në Shqipëri.
Në të paktën 6 raste në kontinjerët e kësaj kompanie, policia e Durrësit arriti të gjejë sasi që varionin nga 7 deri në 20 kg kokainë, të cilat ishin fshehur na kapakët e ftohjes së kontejnerëve.
Fillimisht u arrestua vëllai i Eduard Dautit dhe më pas u shpall në kërkim ky i fundit, i cili ndodhej në Francë.
Agjentët e policisë së Komisariatit Nr.6 kanë zbuluar se Dauti qëndronte në Tiranë dhe jo jashtë shtetit. Nëpërmjet ndjekjes së disa familjarëve dhe punonjësve të tij, policia ka zbuluar se Dauti qëndronte në një apartament prapa zonës së “Caza Italia” në Tiranë.
Pasi është mësuar kati dhe vendndodhja e apartamentit është mundësuar dhe ndërhyrja për arrestimin e tij, operacion i cili është kryer nga efektivët e komisariatit Nr.6.
Kujtojmë që edhe biznesi i këtij personi të shpallur në kërkim nuk ndodhet shumë larg komisariatit të Kombinatit.
Pritet që në ditët në vijim, Eduart Dauti, ti bashkohet vëllait të tij në qeli, Bajron Gumenit, i cili prej muajit qershor 2021 vijon të qëndrojë në burg për akuzën e Trafikut të Narkotikëve kryer në bashkëpunim.
Nga ana tjetër, SPAK ka vendosur në sekuestro kompaninë “Alba Exotik Fruits”, me qëllim mos tjetërsimin e aksioneve.
“Arrestohet pronari dhe administratori i firmës “Alba Exotic Fruit” Eduart Dauti. 51-vjeçari, banues në Tiranë ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.” – njoftoi policia.