Prapaskena

Pa kategori

Ulet nafta me 6 lekë të tjera, sot dhe nesër do të shitet me 231 lekë/litri, benzina rritet me 1 lekë! Çmimi i gazit bie në 115 lekë/litri

Publikuar: 01/04/2022

Nafta ka pësuar sërish ulje në treg në pikat e karburantit. Nafta sot shitet me 231 lekë për litër, duke rënë me 6 lekë të tjera, ndërsa benzina ka pësuar një rritje të lehtë me 1 lekë, duke u shitur në treg 212 lekë/ litër.

Çmimi i gazit ka rënë në 115 lekë/litri, nga 116 për litër që shitej në ditët e kaluara. Pra një rënie e lehtë pas rritje me 6 lekë që pësoi 2 ditë më parë.

Ky vendim u mor nga Bordi i Transparencës ditën e djeshme dhe do të jetë në fuqi edhe për ditën e nesërme. Bordi do të mblidhet sërish ditën e nesërme, me qëllim pasqyrimin në çmim të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Kjo ulje e çmimit të karburantit vjen pas rënies edhe në bursën ndërkombëtare, pasi këtë të premte 1 fuçi naftë luhatet në vlerën 102-103 dollarë. ndërkohë pak ditë më parë çmimi për fuçi arriti deri në 120 dollarë në datat 24 dhe 25 mars. Ndërkohë në krahasim me fillimin e muajit mars, çmimi sot është 10 dollarë fuçia më pak.

Vendimi i Bordit të Transparencës datë 31.3.2022

Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 31 mars 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.

Nisur sa më sipër, Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin  e përkohshëm  të çmimeve  të tregtimit  me shumicë/pakicë, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ, vendosi:

1.        Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 01.04.2022 deri më datë  02.04.2022, si më poshtë:

•          219 Lekë/litri për gazoilin;

•          200 Lekë/litri për benzinën;

•          103 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.

 

2.        Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 01.04.2022 deri më datë 02.04.2022,  si më poshtë:

•          231 Lekë/litri për gazoilin;

•          212 Lekë/litri për benzinën;

•          115 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

Vendimi i Bordit hyn në fuqi  dhe do reflektohet në datë  1 Prill, deri në datë 2.4.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.

 



Më të lexuarat