KAYO dhe Guna Tactical, 17 milionë euro kontrata nga shteti për uniforma, mjete dhe pajisje ushtarake

Kryesore

Publikuar: 16/07/2026

KAYO dhe Guna Tactical, 17 milionë euro kontrata nga shteti për uniforma, mjete dhe pajisje ushtarake

Dy kompanitë me kapital shtetëror në ushtri, Guna Tactical dhe KAYO kanë marrë deri më tani 17 milionë euro financim nga buxheti i shtetit.

Sipas të dhënave nga pagesat e thesarit të marra nga Open Spending Albania  kompanitë ” Guna Tactical ” dhe “KAYO” janë kontraktuar për një sërë shërbimesh dhe furnizimesh që arrijnë vlerën totale prej rreth 1.64 miliardë lekësh mbi 17 mln euro.

Operatori “Guna Tactical” ka qenë pjesë e tre transaksioneve të rëndësishme, duke siguruar një total prej 722,182,335 lekësh. Këto fonde janë alokuar kryesisht për plotësimin e nevojave logjistike të institucioneve të sigurisë, duke përfshirë furnizimin me uniforma dhe veshje të tjera speciale për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve si dhe veshje për ushtrinë.

Nga ana tjetër, kompania “KAYO” ka përfituar një vëllim edhe më të madh financimesh, me një total prej 919,247,054 lekësh përmes katër kontratave. Përqendrimi i shpenzimeve për këtë operator ka qenë më tepër tek investimet teknike dhe kapitalet, duke përfshirë blerjen e automjeteve, mjeteve të tjera teknike, si dhe transferta kapitale Përtej Repartit Ushtarake në Tiranë.

Mbrojta e vendit dhe forcat e luftës po shndërrohen në një nga njësitë më të mëdha shpenzuese të buxhetit të shtetit. Me ndryshimet e fundit buxhetore qeveria shtoi edhe me 108 milionë euro buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes duke e çuar atë gjithsej në 69,2 miliardë lekë ose më shumë se 728 milionë euro. Mirëpo transparenca e fondeve në ushtri nuk është aq e dukshme sa në sektorë të tjerë për shkak të konfidencialitetit në të cilën operon sektori.

Gjithashtu një seri kompanish me kapital publik dhe me kapital të përbashkët publik privat janë krijuar.

Në shtator të vitit të kaluar, qeveria themeloi kompaninë KAYO sh.a. me aksione shtetërore. Qeveria i alokoi kompanisë 150 milionë lekë (rreth 1.5 milionë euro) si kapital fillestar për funksionimin e KAYO-s, pjesë e një pakete më të madhe prej 440 milionë lekësh për ristrukturimin e sektorit të mbrojtjes. Shoqëria ka objekt veprimtarie projektimin, prodhimin, riparimin, demilitarizimin, asgjësimin dhe tregtimin, brenda dhe jashtë vendit, të të gjitha llojeve të armëve ose pjesëve të armëve. Shoqëria ndjek interesa ekonomike dhe tregtare.

Vetë kompania shtetërore KAYO sh.a. ka themeluar tre kompani të reja në industrinë e mbrojtjes. E para është Timak Defence, kompani private në 80% të aksioneve, ndërsa 20% janë në pronësi të KAYO.

Objekti i veprimtarisë së Timak Defence është prodhimi ose përshtatja e mjeteve motorike të posaçme.  Gjithashtu KAYO ka bashkëthemelues një privat M.K.D, e cila ka kontribuar me teknologji dhe ekspertizë në fushën e prodhimit të armëve dhe municioneve. M.K.D. do të fokusohet në prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrit të vogël dhe të mesëm, sipas standardeve të NATO-s.  KAYO është aksionere në kompaninë Guna Tactical.

Kjo kompani është themeluar në bashkëpunim me një tjetër subjekt privat MSSC, e cila ka 49% të aksioneve dhe KAYO, 51%. Guna Tactical do të fokusohet në prodhimin dhe tregtimin e armëve të lehta dhe pajisjeve taktike për përdorim nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e sigurisë, sipas të dhënave të saj nga ekstrakti në Qendrën Kombëtare të Biznesit./ Monitor

/monitor