“Mund t’i godasim edhe sonte”, Trump: Jam në shënjestër të Iranit sepse ata janë llum

Botë

Publikuar: 08/07/2026

“Mund t’i godasim edhe sonte”, Trump: Jam në shënjestër të Iranit sepse ata janë llum

Presidenti amerikan Donald Trump në një konferencë për mediat pas Samitit të NATO-s në Ankara tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ushtrinë më të fortë në botë.

Trump deklaroi se aleatët e NATO-s duhet që të rrisin 5 përqind shpenzimet e mbrojtjes.

“Erdogan është një lider i fortë, prandaj Turqia është një vend i fuqishëm. Rutte është i mrekullueshëm dhe ka personalitet të fortë e ka bërë një punë të pabesueshme në drejtimin e NATO-s. Ne si SHBA kemi ushtrinë më të fortë në botë dhe kjo nuk ka diskutim. Kemi rritur shpenzimet për mbrojtjen. Besoj se aleatët e NATO-s do të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.

SHBA-të mbeten kontribuesi më i madh i NATO-s. Të gjithë na respektojnë. Të gjithë qeshnin me ne, tani nuk qeshin më. Kemi shpenzuar 1 trilionë dollarë në Forcat e Armatosura e tani do shpenzojmë 1.5 trilionë dollarë. Shumë prej këtyre vendeve janë të pasura dhe duhet të shpenzojnë më tepër për mbrojtjen. Disa prej këtyre vendeve i janë përgjigjur thirrjes, ndërsa të tjerët duhet që t’i përgjigjen thirrjes. Dua t’i kaloj në 5 përqind shpenzime për mbrojtjen. Ata thonë se “ne të duam ty” dhe duan të vijnë tek unë”, tha Trump.

Trump akuzoi administratën e Joe Biden, duke thënë se ata nuk kanë dhënë para sa duhet për ushtrinë. Tha se SHBA-të kanë shpenzuar 19.2 trilionë dollarë në pajisje ushtarake, teksa shtoi se Amerika është para Kinës në AI. 

“Administrata e Joe Biden nuk kishte fare respekt për ushtrinë. Ne jemi duke dhënë para për ushtrinë, sepse e konsiderojmë atë tepër të rëndësishme. Ju e patë në Venezuelë sesi pajisjet tona janë të mira dhe të forta e funksionale, moderne. Kemi shpenzuar 19.2 trilionë dollarë në pajisje ushtarake. Ne po ndërtojmë avionë të mëdhenj. Fabrikat e makinat elektrike janë duke u prodhuar. Ne po udhëheqim në AI para Kinës dhe thuajse në çdo gjë. SHBA-të janë vendi më i fuqishëm dhe komunizmi është e keqja e çdo gjëje. Unë dua Zotin e suksesin. Dua një vend të suksesshëm”, deklaroi Trump.

Ritheksoi se të gjithë kanë respekt për SHBA-të dhe se të gjithë kanë respekt për Amerikën.

“Do kemi fabrikë të re për raketat. Jemi lideri dhe do jemi liderët. Do të përshpejtojmë me prodhimin e armatimeve. Unë rilinda industrinë ushtarake. Biznesi i çelikut po ecën me shpejtësi tepër të madhe. Do kemi fabrikën më të madhe të aluminit në Oklahoma. Të gjithë kanë respekt për Amerikën. Ne vetëm ecim përpara. Ishte një Samit tepër i suksesshëm. Ne do të prodhojmë raketa edhe për Poloninë. Dua të falënderoj Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte. Ai është njeri që bashkon”, deklaroi ai.

Kur u pyet për luftën me Iranin, Trump u shpreh se ndërhyrja në Iran ishte sukses ushtarak. Sipas tij, Irani nuk do të ketë armë bërthamore. Trump shtoi se është shënjestër i Iranit dhe se Teherani është llum.

“Ndërhyrja në Iran ishte sukses. Irani nuk do të ketë armë bërthamore. Të gjithë thanë fjalë të ndryshme për këtë ndërhyrje, por jemi këtu të suksesshëm. Ali Khamenei ka vrarë shumë njerëz, duhet të ishte vrarë 47 vite më parë. Unë jam shënjestra e Iranit, sepse ata janë llum. Ata kanë vrarë mijëra njerëz, kanë vrarë qindra protestues. Po bëjmë shkëlqyeshëm mirë. Kujtoni se policia e ushtria në kohën e Biden ka qenë katastrofë dhe kufiri ka qenë i pasigurt. Në SHBA kanë hyrë dhe vrasës. SHBA-të janë me fat që ne fituam zgjedhjet. Komunizmi është një ferr”, deklaroi Donald Trump.

Gazetarët e pyetën Trumpin pse më herët i kishte përshkruar liderët iranianë si “njerëz shumë racionalë”, ndërsa sot i quajti “të neveritshëm”.

Trump u përgjigj duke thënë: “I njoha më mirë”, duke shtuar:

“Mendoj se janë më racionalë, por bazuar në veprimet e tyre gjatë javës ose dy javëve të fundit, ata nuk po i bëjnë shërbim popullit [të Iranit]. Dhe mendoj se, më shumë se çdo gjë tjetër, është se i njoha dhe nuk jam i sigurt nëse dua të bëj një marrëveshje me ta. Mund të luajmë lojëra, por nuk jam i sigurt nëse dua një marrëveshje. Le ta përfundojmë punë”, tha Trump.

Ai theksoi se pas tensioneve të fundit, çmimi i naftës do vijojë të rritet, por kjo nuk do të zgjasë shumë.

“Ne nuk do të shohim që Irani të këtë armë bërthamore, Çmimet do të bien sigurt, tani do të ngjitem pak, por do të bjerë çmimi i naftës. Nuk mund të kenë armë bërthamore. Nuk mund ti lëmë të çmendurit që të kenë armë bërthamore dhe ne e kemi ndaluar këtë. Nuk mendoj se lufta me Iranin do të fillojë përsëri, ata kanë qëlluar disa anije, ne kemi qëlluar dhjetë herë më shumë. Mund ti godasim edhe sonte”, tha Donald Trump.