Balla në Strasburg: Shqipëria synon që flamuri kuq e zi të ngrihet në Bruksel brenda vitit 2030

Politikë

Publikuar: 08/07/2026

Balla në Strasburg: Shqipëria synon që flamuri kuq e zi të ngrihet në Bruksel brenda vitit 2030

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një takim në Parlamentin Europian në Strasburg me Kathleen Van Brempt, Zëvendëspresidente e Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian.

Balla deklaroi se Shqipëria ndodhet në një fazë intensive të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa njoftoi se në ditët në vijim pritet të nisë mbyllja e kapitujve të parë të negociatave.

“Jemi në një fazë intensive me rezultate konkrete në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh Balla, duke theksuar se objektivi i mazhorancës është përmbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027.

Sipas Ballës, Shqipëria synon që flamuri kuq e zi të ngrihet në Bruksel brenda vitit 2030, ndërsa kjo mund të ndodhë edhe më herët, brenda këtij mandati të Parlamentit Europian.

Gjatë takimit, Balla foli edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar rritjen e investimeve të huaja dhe zgjerimin e ekonomisë shqiptare. Ai deklaroi se ekonomia ka arritur në 27 miliardë euro dhe se investimet e huaja janë rritur ndjeshëm krahasuar me një dekadë më parë.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së vlerësoi gjithashtu zhvillimin e sektorit të turizmit, duke deklaruar se Shqipëria pret një tjetër rritje të numrit të vizitorëve këtë vit, me pritshmëri për të kaluar shifrën e 13 milionë turistëve.

Në deklaratën e tij, Balla u ndal edhe te sfida e dezinformimit, duke theksuar se demokracia kërkon qytetarë të informuar dhe se lufta ndaj lajmeve të rreme është mbrojtje e debatit publik dhe e institucioneve demokratike.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

U takova sot në Parlamentin Europian Strasburg me Kathleen Van Brempt, Zëvendëspresidente e Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian. Jemi në një fazë intensive me rezultate konkrete në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa në ditët në vijim fillojmë mbylljen e kapitujve të parë të Marrëveshjes së Anëtarësimit. Jemi të palëkundur në ambicjen tonë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 dhe të ngremë flamurin tonë kuq e zi në Bruksel brenda 2030, pse jo brenda këtij mandati të Parlamentit Europian. Mbështesim fuqimisht investimet e huaja në Shqipëri të cilat janë rritur me disa herë krahasuar me një dekadë më parë, kemi trefishuar ekonominë tonë 27mld Euro, gjithmonë duke garantuar respektimin e standardeve të mira mjedisore. Jemi krenarë për zhvillimin e madh të sektorit të turizmit në Shqipëri. Megjithë përpjekjet e aktorëve jomiqësorë për ta dëmtuar imazhin e Shqipërisë, edhe këtë vit presim një rritje të numrit të turistëve, diku përtej 13 milionë Nuk duhet të harrojmë se demokracia mbështetet mbi qytetarë të informuar. Dezinformimi e zëvendëson debatin me manipulimin, faktet me gënjeshtrat dhe besimin me dyshimin. Lufta kundër dezinformimit është mbrojtje e së vërtetës, e lirisë dhe e vetë demokracisë.