Hetimet e SPAK për aferat korruptive dhe grupin kriminal të AKSHI-t duket se nuk kanë rënë ende në gjurmët e linjës kryesore të strukturuar të pastrimit të parave të pista, produkt i skemave korruptive me tenderat publikë, kontrabandës, evazionit fiskal etj. Sipas një sinjalizimi bazuar në evidenca, Arlinda Meko (Kola), përmes kompanisë Bicontal solution, përfaqëson linjën kryesore dhe më të fuqishme të pastrimit të parave produkt i skemave korruptive të AKSHI-t, për llogari të grupit kriminal të AKSHI-t.

Arlinda Meko ka vepruar si derivat dhe kamuflim i Bedri dhe Rogers Rryta, babë e bir, pronar i një rrjeti kompanish me aktivitet të dyshimtë, përfshirë edhe kompaninë Mega Distribution shpk. Arlinda Meko ka vepruar si një fabrikë faturimesh fiktive me vlerë dhjetëra milionë euro, në funksion të pastrimit të parave nga grupi kriminal i AKSHI-it, ku SPAK ka përfshirë edhe Rogers Rryta, Ermal Beqiri, Daniel Shima, Andis Papa etj.

Përmes faturimeve fiktive, shpesherë jashtë objektit të veprimtarisë së kompanive, Arlinda Meko (Kola) ka mundësuar pastrimin e jo vetëm parave të korrupsionit të AKSHI-t, por edhe të aktiviteteve të tjera të paligjshme. Në SPAK dhe BKH do të hapin letrat e veprimtarisë së Bicontal solution, do të zbulojnë një nga skemat më të sofistikuara dhe më dinamike të pastrimit të parave në Shqipëri.
-Po ku konsiston skema e pastrimit të dhjetëra milionë euro nga Arlinda Meko përmes kompanisë Bicontal solution?
-Cilat janë kompanitë e implikuara, kush fshihet pas tyre dhe çfarë është faturuar?
-Si është operuar me skemën e TVSH dhe si është mundësuar injektimi dhe qarkullimi i parave të pista?
-A është Bicontal solution e vetmja kompani pas të cilës qëndron Arlinda Meko?
10 milionë euro çokollata
Sipas dosjes së SPAK-ut, vetëm përmes një skeme, Bedri dhe Rogers Rryta kanë pastruar përmes kompanisë Mega Distribution rreth 10 milionë euro para korrupsioni të AKSHI-t, duke bërë fatura sikur kanë shitur çokollata dhe biskota. Më kontretisht, gjatë viteve 2018, 2020 dhe 2021, Soft & Solution e Ermal Beqirit dhe Fastech e Andis Papa i kanë faturuar rreth 10 milionë euro fiktivisht kompanisë Mega Distribution sikur kanë blerë çokollata dhe biskota.

(Ermal Beqiri dhe Andis Papa)
Rogers Rryta ka deklaruar në SPAK se ka pasur marrëdhënie tregtare me kompanitë e teknologjisë Fastech dhe Soft & Solution, por se nuk mban mend si ka nisur kjo marrëdhënie kur ai ka qenë administrator i kompanisë së ushqimeve Mega Distribution.
“Lidhur me kreditimet me fonde të vazhdueshme gjatë viteve 2018, 2020 dhe 2021, në shumë totale mbi 10 milionë euro në llogaritë bankare të subjektit të tij, në bankat BKT dhe Credins, në monedhën euro, USD dhe ALL, deklaron se janë pagesa ndaj faturave që bëhen për shitjet. Këto fatura lidhen me shitjen e çokollatave dhe biskotave. Këto fonde janë përdorur për të vazhduar aktivitetin tregtar që ai ka. Nuk ka dijeni për aktivitetin tregtar që kryejnë subjektet ‘Fastech’ sh.p.k. dhe ‘Soft & Solution’ sh.p.k. Nuk njeh shtetasin Ermal Beqiri, nuk ka pasur ndonjëherë marrëdhënie me të. Nuk njeh shtetasin Andis Papa, nuk ka pasur ndonjëherë marrëdhënie me të. Në të njëjtin qëndrim deklaron edhe lidhur me shtetasit Ergys Agasi dhe Mirlinda Karçanaj“, thuhet në dosje.

Pronari i Fastech, Andis Papa fillimisht ka deklaruar se blerjet nga Mega Distribution në masën 10 milionë euro përfaqësonin shërbime teknologjie, por kur është vënë përpara fakteve nga hetuesit e BKH se Mega shiste vetem çokollata dhe biskota ka ndryshuar version. “Siç ju thashë nuk e di mire cfarë kemi blerë. Kemi bërë dhe kontrata me këtë shoqëri. Mbaj mend që ata sillnin produkte nga Turqia“, ka pohuar Papa. Hetimet kanë provuar se blerja 10 milionë euro e çokollatave dhe biskotave ka qenë fiktive, me qëllim qarkullimin dhe pastrimin e parave të vjedhura me tenderat e AKSHI-t.