Shkuan t’a arrestonin në stan, trafikanti Violand Braçellari vret policin Enea Mekolli, plagos rëndë një tjetër, ishte në kërkim për drogë

Kryesore

Publikuar: 04/06/2026

Shkuan t’a arrestonin në stan, trafikanti Violand Braçellari vret policin Enea Mekolli, plagos rëndë një tjetër, ishte në kërkim për drogë

Një person në kërkim prej disa vitesh dyshohet se ka vrarë një efektiv policie dhe ka plagosur një tjetër gjatë një operacioni policor në fshatin Podenë, në Bashkinë Maliq. Autori i dyshuar është Violand Braçellari, 44-vjeç, ish-ushtarak, i shpallur në kërkim prej vitesh. Ai kishte edhe një vendim gjykate për çështje të lidhura me lëndët narkotike.

(Autori i ngjarjes, Violand Bracellari)

Viktima është polici Enea Mekollidhe efektivi i plagosur është Edison Adri i cili është nisur me helikopter drejt Tiranës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur një grup policor ishte nisur drejt fshatit të thellë malor Bodë në Lozhan të Maliqit.

(Viktima Enea Mekollari)

Sipas informacioneve paraprake, pas sinjalizimeve se i kërkuari fshihej në zonë, agjentë të Policisë së Korçës janë nisur drejt Podenës për ta arrestuar. Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari ka hapur zjarr ndaj forcave të policisë, duke lënë të vdekur një efektiv dhe duke plagosur një tjetër.

Sipas të njëjtave burime, Braçellari dyshohet se jetonte prej vitesh në pyjet e Podenës, ku kishte ngritur një stan të madh dhe mbante disa qen.

Mësohet se i dyshuari konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë dhe njohës shumë i mirë i armëve. Në operacion kanë marrë pjesë rreth 7-8 efektivë policie, disa prej të cilëve të veshur civilë. Dyshohet se ai i ka identifikuar forcat e policisë gjatë natës, rreth orës 03:00-04:00 të mëngjesit të së enjtes, dhe më pas ka qëlluar në drejtim të tyre.

Autor i dyshuar i ngjarjes raportohet të jetë një person i shpallur në kërkim prej disa vitesh, ish-ushtarak, i cili dyshohet se jetonte i izoluar në zonën pyjore të Podenës dhe njihej si person me rrezikshmëri të lartë dhe njohës i armëve të zjarrit. Sipas burimeve paraprake, ai kishte ngritur një strehim në terren të vështirë dhe mbante edhe qen në zonë.

Pas shkëmbimit të zjarrit, autoritetet dyshohet se kanë arritur ta neutralizojnë të plagosur, ndërsa zona është rrethuar nga forca të shumta policie dhe drejtues të lartë të Policisë së Korçës kanë shkuar në vendngjarje për hetimet.

Hetimet po vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e operacionit, mënyrën se si u zbulua vendndodhja e të kërkuarit dhe dinamikën e saktë të përplasjes me armë.

Ndërkohë, drejt vendit të ngjarjes janë nisur forca të shumta policore, si edhe drejtori i Policisë së Korçës. Podena është një zonë e largët dhe e braktisur, ku lëvizja dhe ndërhyrja e forcave të rendit paraqet vështirësi për shkak të terrenit të vështirë.

Njoftimi i policisë

Humbet jetën në krye të detyrës, 1 punonjës policie, si dhe plagoset një tjetër punonjës policie,  nga sulmi me armë zjarri nga një person i kërkuar i cili u neutralizua dhe u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit gjatë një operacioni për kapjen e tij.

Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një personi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe të Komisariatit të Policisë Korçë, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në malin Boden, Bashkia Maliq.

Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë).

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.

Në drejtim të vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës Policie dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës i Policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.