Në seancën e GJKKO për rivlerësimin e masës së sigurisë arrest me burg për kryebashkiakun Erion Veliaj, prokurori i SPAK Ols Dado ‘argumentoi’ se Veliaj ishte bërë edhe më i rrezikshëm në burg, pasi kishte pajtuar avokatë të huaj për të lobuar për lirimin e tij. Sa herë që Veliaj kërkon ndryshimin e masës së sigurisë, Ols Dado, i emëruar prokuror në mënyrë të paligjshme, paraqet një arsye të re se pse Veliaj duhet të rrijë në burg.
Një herë thotë se nuk është sjellë mirë në burg, një herë se ka folur në telefon, një herë se ka sharë prokurorin dhe së fundmi se ka kontraktuar avokatë të huaj, duke e konsideruar këtë ‘si shfaqje e huaj’. Sipas Ols Dados, i cili dyshohet se fshihet pas Nesti Angonit pasi Veliaj nuk i dha lejen për shtesën e pallatit, Erion Veliaj, përmes lobimit në SHBA synon synon deligjitimimin e organeve që po gjykojnë aktualisht çështjen dhe po tregon vullnet për të shmangur procesin penal.
Se si mund të dalin jashtë loje SPAK-GJKKO dhe të shmanget procesi penal përmes lobimit, këtë mund t’a dijë vetëm violinisti filozof Ols Dado, i cili nga i diplomuar me pesa dhe noter i krimit në Durrës hyri në drejtësi nga fustani i Ina Ramës, pa përmbushur kriteret ligjore. Teksa gjyqtarja miratonte me kokë ‘argumente’ të tilla, Ols Dado shtoi më tej se lobimi i Veliajt në SHBA ndikon për keq tek drejtësia, sidomos tek dëshmitarët, duke veshur procesin përfundimisht me karakter personal, emocional dhe hakmarrës.
“Përtej argumenteve që paraqiti prokurori i çështjes, do të doja t’i sjell në vëmendje gjykatës që gjatë kësaj periudhe, jemi vënë në dijeni pasi elementë të ri në lidhje me nenin 228 të Kodit të Procedurës Penale, të nenit 163 në lidhje me kushtet e përcaktimit të masës së sigurimit personal, jemi vënë në dijeni për një fushatë lobimi të shtetasit Erion Veliaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një fond financimi rreth 221 mijë dollarë. Nga burimet të hapura, është një shkrim – ka shumë shkrime, por do të doja që këtë gjykata ta shqyrtonte si provë – në gjykimin tonë kjo fushatë lobimi e cila ka shkuar deri në nivelet më të larta politike administrative të Shteteve të Bashkuara nuk përbën një mbrojtje juridike për veprimtari të funksionit politik, synon deligjitimimin e organeve që po gjykojnë aktualisht çështjen dhe tregon vullnetin e të pandehurit për të shmangur procesin penal. Pra, mbrojtja nga procesi penal dhe jo mbrojtja në procesin penal duket se është synimi kryesor i të pandehurit Erion Veliaj gjatë këtyre muajve të hetimit paraprak, por dhe të gjykimit në seancë paraprake. Për ne është një element shumë i rëndësishëm që tregon se klima e krijuar në raport me prokurorinë e posaçme, por dhe me gjyqtarin në hetim paraprak. Të mos harrojmë këtu që nga burime të hapura gjithashtu, këta aktorë të sistemit të drejtësisë, pra edhe prokurorë të prokurorisë së posaçme, por edhe gjyqtarë janë cilësuar si anëtarë aktivë të një partie që i përket opozitës në Shqipëri. Janë cilësuar të lidhur, ose të paktën vetëm prokurori, me interesa të ngushta zhvillimore ndërtuese. Kjo është një situatë që krijon një klimë ndikimi jo vetëm tek organet e drejtësisë dhe aq më tepër mund të imagjinojmë efektin që krijon tek dëshmitarët, por dhe tek dëshmitarët e drejtësisë që janë pjesë jetike, thelbësore e këtij procesi“, shprehet Dado.
Një nga dëshmitarët kryesorë të Ols Dados në procesin kundër Erion Veliajt është zonja Adela Kondakçi. Ols Dado pretendoi para gjykatës, si të ishte në mejhanet te Rruga e Kavajës, se fakti se Veliaj ka pajtuar avokatë amerikanë, kjo gjë mund të trembë dëshmitarët, duke nënkuotuar Adela Kondakçiun, e cila mund të tërhiqet nga thëniet kundër Veliajt.
Po pse Adela Kondakçiu duhet të ndikohet nga fakti që Veliaj pajton avokatë të huaj? Mos vallë Veliaj duhet të heqë dorë fare nga mbrojtja me avokatë që Adela të flejë e qetë?
Një dëshmitar tërhiqet kur është shtrënguar dhe kërcënuar me burg nga prokurori, kur ka gënjyer me vullnetin e saj të lirë nga dashakeqsia apo arsye të tjera dhe kur kërcënohet nga i padehuri. Variantin e tretë nuk e pretendon as vetë Ols Dado, i cili ka ndërtuar një proces me karakter personal kundër Veliajt. Atëherë pse Ols Dado i trembet tërheqjes së mundshme të Adelës? I trembet vërtetë apo nuk ka çfarë sajon arsye tjetër para gjykatës për të mbajtur Veliajn në burg?