“Para sot, ose gjak nesër”/ BE përballë një vendimi kritik për financimin e luftës në Ukrainë

Botë

Publikuar: 18/12/2025

“Para sot, ose gjak nesër”/ BE përballë një vendimi kritik për financimin e luftës në Ukrainë

Liderët e Bashkimit Europian po mblidhen sot në një samit vendimtar, ku pritet të merret një vendim i rëndësishëm për përdorimin e aseteve të ngrira ruse në mbështetje financiare të Ukrainës. Diskutimi shihet si një moment kyç për unitetin dhe fuqinë vendimmarrëse të BE-së.

Bëhet fjalë për rreth 210 miliardë euro asete të Rusisë, shumica e të cilave ndodhen në institucionin financiar Euroclear në Belgjikë. Deri më tani, Belgjika dhe disa vende të tjera anëtare kanë shprehur rezerva për përdorimin e këtyre fondeve. Megjithatë, zyrtarë europianë paralajmërojnë se pa një paketë të re financiare, Ukraina rrezikon të mbetet pa mbështetje brenda disa muajsh.

Një zyrtar i BE-së ka folur për optimistëm të kujdesshëm se mund të arrihet një marrëveshje. Nga ana tjetër, Moska ka kërcënuar me kundërmasa nëse fondet përdoren dhe ka ngritur padi ndaj Euroclear në një gjykatë në Moskë për rikthimin e aseteve.

Udhëheqësit europianë që morën pjesë në samit theksuan nevojën për një zgjidhje të shpejtë, sidomos pas kritikave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili javën e kaluar i quajti vendet europiane “të dobëta”.

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, u shpreh se zgjedhja është e qartë:
“Ose para sot, ose gjak nesër. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, por me gjithë Evropën.”

Edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se nuk do të largohej nga samiti pa një marrëveshje për financimin e Ukrainës për dy vitet e ardhshme.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili fillimisht ishte parashikuar të merrte pjesë përmes videolidhjes, u paraqit personalisht në samit, duke theksuar urgjencën e situatës. Ai paralajmëroi se mungesa e një vendimi pozitiv do të kishte pasoja serioze për Ukrainën.