Demalia: Parlamenti shqiptar është kthyer në “shkollë vagabondësh”, një turp për vendin

Politikë

Publikuar: 18/12/2025

Demalia: Parlamenti shqiptar është kthyer në “shkollë vagabondësh”, një turp për vendin

Ilir Demalia, i ftuar në emisionin “Breaking” me Xhoi Malësia, ka komentuar zhvillimet e sotme në Kuvend, ku deputetë të Partisë Demokratike bllokuan foltoren dhe zunë vendet e ministrave, duke e kthyer seancën plenare në kaos.

Gjatë përplasjes, në sallë u panë Flamur Noka dhe Klevis Balliu teksa përpiqeshin të uleshin në ulëset e ministrave. Noka hipi mbi tavolina për të zënë vendin e tyre, por u pengua dhe u rrëzua, duke u ndihmuar më pas nga kolegët e PD-së.

Sipas Demalisë, këto skena nuk janë as të reja dhe as të rastësishme, por shfaqje rutinë të një mentaliteti vulgar që, sipas tij, ka kohë që e ka pushtuar Parlamentin shqiptar. “Parlamenti sot më kujton shkollën e vagabondëve në kohën e komunizmit. Nuk është rastësi, sepse ky parlament ka mbledhur llumin më të madh të shoqërisë”, u shpreh ai.

Analisti theksoi se bëhet fjalë për njerëz pa personalitet, pa qytetari dhe pa asnjë sens etik, që nuk kanë as idenë më të vogël se çfarë do të thotë dialog politik. “Këta njerëz nuk e kanë hallin e popullit. Halli i tyre është të ruajnë mallin e vjedhur”, deklaroi Demalia.

Ai shtoi se kjo “shkollë vagabondësh” ka dështuar të ndërtojë shtet, të krijojë një shoqëri qytetare dhe ta afrojë Shqipërinë me Europën. “Ky parlament është një turp”, përfundoi Demalia, duke e cilësuar situatën aktuale si një nga shenjat më të qarta të degradimit të politikës shqiptare.