Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla iu përgjigj opozitës lidhur me akuzat se fondacioni Hanns-Seidel po largohet nga vendi për shkak të qeverisë. Nga Foltorja, në përgjigje të komentit të Tritan Shehut, Balla kujtoi se vendi ynë aktualisht gëzon marrëdhëniet më të mira më Gjermaninë ndonjëherë.
Fjala e Ballës:
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste gjej rastin të falënderoj dhe t’i shpreh mirënjohjen, besoj edhe të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë, fondacionit gjerman “Hanns Seidel”. Mban emrin e një prej figurave më të shquara të Unionit Kristian-Socialist të Bavarisë.
E vërteta është që prej ditëve të para të pluralizmit politik në Shqipëri ky fondacion, me prezencën e vet ka asistuar, ka ndihmuar në forcimin e institucioneve demokratike në vend, në forcimin e aktivitetit të partive politike, të trajnimit të administratës publike, të institucioneve të drejtësisë, të Policisë së Shtetit apo dhe të pushtetit vendor.
Kështu që vendimmarrja e drejtuesve të fondacionit, e cila ndërlidhet edhe me një shkurtim të fondeve që qeveria federale gjermane jep, nuk ka të bëjë aspak, po aspak fare, me gjithë atë “përrua psikik” që dëgjuam nga një folës pararendës, se fondacioni po ikën se e ka përzënë Shqipëria.
Unë mendoj që secili prej nesh mban përgjegjësi për ato që nxjerr nga goja dhe kur mosha ecën, ndoshta nuk mban përgjegjësi për të tjera, por jo për ato që nxjerr nga goja.
Dhe t’ju them të drejtën, unë mirëkuptoj këdo koleg në opozitë që gjen gjithçka për të kritikuar qeverinë, është e pranueshme.
Por të vish të thuash këtu që fondacioni Hanns Seidel po ikën se nuk i pëlqen Shqipëria për shkak të qeverisë që ka. Dhe pastaj të vish e të thuash që edhe Konrad Adenauer tha deputeti, i referohem fondacionit.
Po mirë, këtu ku e kemi fajin ne? Se fondacioni Konrad Adenauer punon me ju, me Partinë Demokratike. Dmth o është mërzitur fondacioni Konrad Adenauer me partinë tuaj se ne s’kemi ndonjë faj këtu. Ç’punë kemi ne me këtë pjesë? O është mërzitur, se shkretët harxho, harxho pa fund me ju dhe ju s’bëheni.
Por të vish e të thuash në Parlament se po ikën fondacioni ndërkohë që fondacioni Friedrich Ebert i socialdemokratëve gjermanë vazhdon të jetë prezent, madje zyrën rajonale e kanë në Tiranë.
Dhe mendoj që pas 30 e kusur vitesh, nga ’92-shi, do të vijë një moment që këto fondacione nuk do t’i kenë më zyrat në Tiranë pas 2030-s, sepse rifokusohen, rialokohen në vende ku ka më shumë nevojë sot për çështjet për të cilat ato kanë ardhur…
Prandaj miqësisht, të kesh qenë edhe ministër i Jashtëm në kohën kur afërsisht, jo fiks kur ka ardhur fondacioni Hanns Seidel, sepse ka qenë Alfred Serreqi në ’92-shin, por zotëria që bëri gjithë atë “përrua psikik”, për të cilin për shkak të moshës dhe të njohjes gjithmonë kam respekt, besoj që kërkohet një ndjesë.
Tjetra, sepse besoj quhet ezauruar kjo pjesë. Pa harruar nivelin më të mirë historik të marrëdhënieve që sot Shqipëria ka me Gjermaninë.
E vërteta është që kancelarët gjermanë zyrtarisht e kanë vizituar Shqipërinë pas vitit 2013, duke e filluar me vizitën historike të 8 korrikut 2015 të kancelares Merkel në Tiranë dhe për të vijuar më pas edhe me një mik të vyer si kancelari Olaf Scholz, edhe së fundmi sapo ishte emëruar në detyrën e kancelarit gjerman, një mik tjetër i vyer i Shqipërisë, siç është Friedrich Merz.
Dhe pa harruar këtu edhe kryeministrin e Bavarisë, udhëheqësin e CSU-së, Markus Söder.
Kështu që, të thëna të gjitha këto, zoti Tritan Shehu, meqë i ngrite gjithë shqetësime, sot Shqipëria dhe Gjermania kanë nivelin më të lartë të marrëdhënieve bilaterale si kurrë më parë.
Na takon ne si Kuvendi i Shqipërisë në legjislaturën e re të rivendosim dhe të vazhdojmë kuadrin e mirë të marrëdhënieve ndërparlamentare në të gjitha nivelet, sapo të sjellë edhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike emrat e grupit të miqësisë, jo vetëm te grupi i miqësisë me Republikën Federale Gjermane, por edhe në grupet e tjera.
Të konstituojmë grupet e miqësisë, në mënyrë që edhe në këtë aspekt. Bundestagu e ka një grup miqësie me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ndërkohë që të gjitha komisionet tona me komitetet parlamentare të Bundestagut të fillojnë shkëmbimet.
Ky është realiteti.
Gjermania mbetet partneri ynë kryesor brenda vendeve anëtare të Bashkimit Europian, por është vendi i parë sa i përket financimeve të drejtpërdrejta.
Unë di të paktën nga të dhënat e fundit që është mbi 1.2 miliardë euro, po shkon 1.3 në fakt, me projektet e fundit që do kalojmë, shkon përtej financimi direkt i Republikës Federale Gjermane.
Dhe ndërkohë ajo që ka ndodhur në vitet e fundit, për shkak të angazhimit personal të kryeministrit Rama, ne kemi një raport shumë të ngushtë edhe në nivel marrëdhëniesh të Shqipërisë me landet, jo vetëm me Landin e Bavarisë, ku kontaktet e shpeshta, vizitat e shpeshta bilaterale, qoftë të kryeministrit Söder në Tiranë apo të kryeministrit Rama në Bavari, por edhe me landet e tjera.
Dhe ajo që i kërkoj qeverisë, sikurse edhe ne si parlament duhet ta shohim, është që të fokusohemi sa më shumë në marrëdhëniet mes qeverisë shqiptare dhe qeverive të landeve. Janë plot lande të cilat kanë një rëndësi të madhe edhe në planin ekonomik, ku qeveria duhet të fokusohet. I referohem këtu Landit të North Rhine-Westphalia, landi më i madh për shkak të numrit të popullsisë, me të cilën kemi vendosur fusha bashkëpunimi edhe në nivel kryeministri.
Unë kam vizituar si ministër i Brendshëm, landin North Rhine-Westphalia, me landin Essen, dhe me plot landet e tjera, edhe Rheinland-Pfalz, apo lande të tjera ku jeton dhe një komunitet shumë i madh shqiptarësh. Po vlerësoj se janë mbi 250.000 bashkatdhetarë të cilët jetojnë sot në Gjermani, e që gjej rastin t’i përshëndes dhe t’i falënderoj edhe për votën e tyre dhe për mbështetjen e tyre historike në zgjedhjen e 11 majit.
Por duke mos harruar që marrëdhënia e tyre me Shqipërinë nuk lidhet vetëm me votën një herë në katër vjet, por duhet të lidhet me plot projekte. Dhe këtu qeveria, Ministria e Arsimit, Ministria e Kulturës kanë përgjegjësinë e madhe. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë përgjegjësinë e madhe t’i ruajmë këto rrugë bashkëpunimi, bashkëpunime me qeveritë e landeve.
Bashkëpunimi i Kuvendit të Shqipërisë me parlamentet e landtaget e landeve gjermane është i rëndësishëm edhe në funksion të organizimit të aktiviteteve të përbashkëta për komunitetet shqiptare. Faleminderit!