‘Ai po merr frymë lirisht’, profesori italian del nga qelia! Kthehet në itali 75 ditë pasi u përfshi në aksidentin ku vdiq 17-vjeçari shqiptar

Botë

Publikuar: 24/10/2025

‘Ai po merr frymë lirisht’, profesori italian del nga qelia! Kthehet në itali 75 ditë pasi u përfshi në aksidentin ku vdiq 17-vjeçari shqiptar

Michele D’Angelo, profesori italian i biologjisë i cili u përfshi në aksidentin tragjik të 8 gushtit në aksin Levan-Fier, është rikthyer në Itali.

44-vjeçari i cili prej 75 ditësh ishte burgosur në vendin tonë, pasditen e djeshme së bashku me partneren e tij Vanessa Castelli, ka zbarkuar në aeroportin e Fiumicinos- në Romë dhe më pas është drejtuar për në L’Aquila, në qytezën e tij ku dhe prej vitesh jep mësime në Universitet.

Lajmi për lirimin e 44-vjeçarit italian është bërë me dije nga mediat italiane. Më tej thuhet se transferimi i Michele D’Angelo është kryer mes sekretit maksimal nga ana e autoriteteve italiane dhe atyre shqiptare.

Drejtësia shqiptare ka caktuar ndaj tij një masë më të lehtë sigurie. Sipas partneres së D’Angelo, ai do të duhet tani vetëm të nënshkruajë, ndërkohë që ka theksuar se makthi ka përfunduar dhe se 44-vjeçari tani mund të marrë frymë lirisht.

“Michele është shumë i tronditur, por mund të themi se makthi ka mbaruar; tani mund të marrim frymë”, tha partnerja e tij, e cila ka ndjekur çdo hap të procesit gjyqësor.

Michele D’Angelo, profesor biologjie në Universitetin e Aquila dhe një shkencëtar me famë ndërkombëtare, u arrestua më 8 gusht të këtij viti. Teksa ishte me pushime në vendin tonë, ai u përfshi në një aksident në autostradën Levan-Fier. Automjeti me të cilin po udhëtonte italiani u përplas me një Mercedes. Si pasojë nga ky aksident humbi jetën një 17-vjeçar.