Raporti i ODIHR, Celibashi: Të gjitha partitë të punojnë mbi gjetjet, reforma zgjedhore të mbyllur brenda një viti

Politikë

Publikuar: 23/10/2025

Raporti i ODIHR, Celibashi: Të gjitha partitë të punojnë mbi gjetjet, reforma zgjedhore të mbyllur brenda një viti

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka reaguar pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Në një deklaratë publike, Celibashi e cilësoi raportin si “pasqyrë të plotë të procesit zgjedhor”, duke theksuar se puna mbi gjetjet dhe rekomandimet e ODIHR-it do të tregojë seriozitetin dhe përgjegjshmërinë institucionale e politike të të gjithë aktorëve të përfshirë.

“Do të jetë shenjë serioziteti dhe përgjegjshmërie institucionale dhe politike e të gjithë aktorëve të lidhur me procesin zgjedhor, për të punuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit, si pasqyrë e plotë e këtyre zgjedhjeve”, u shpreh Celibashi.

Ai shtoi se “gjykimet dhe vlerësimet mbi gjykimet e ‘gjykatësit të zgjedhjeve’ nuk kanë ndonjë dobi”, duke iu referuar rolit të ODIHR-it si institucion monitorues.

Kryekomisioneri nënvizoi se partitë politike, veçanërisht ato që janë në Kuvend, duhet të angazhohen seriozisht për ta përmbyllur reformën zgjedhore brenda një viti.

Sa i takon vetë KQZ-së, Celibashi tha se vlerësimet pozitive të raportit për punën e institucionit në përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve janë “shtysë për të bërë akoma më mirë atë që duhet bërë”