Policia ka konfirmuar zyrtarisht se autori i ngjarjes së ndodhur ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja është Elvis Shkëmbi. Nga të shtënat kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë.
Policia tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, brenda ambienteve të gjykatës.
Sipas policisë, 30-vjeçari ka qëlluar në drejtim të gjykatësit dhe palës tjetër në proces, Rakip dhe Ervis Kurtajt, babë e bir, përkatësisht 65 dhe 45 vjeç. Mësohet se Elvis Shkëmbi është djali i Gjon Shkëmbit, i cili ishte në proces gjyqësor me palën tjetër (mbetën të plagosur) Rakip dhe Ervis Kurtaj.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit.
Në vijim do të jepet informacion më i plotë për ngjarjen.