Hetimet e SPAK-ut kanë zbuluar se kompania e ndërtimit “Victoria Construction”, përdoret si ‘lavatriçe’ për pastrimin e parave të trafikut të kokainës, me protagonist Ervin Matën, në kërkim nga drejtësia në Brazil dhe drejtësia shqiptare për trafikimin e 1 ton kokainë.

Kompania është në pronësi të biznesmenit Luan Mata, i cili është babai i Ervin Matës, në kërkim për trafik kokaine, i njohur edhe për lidhjen me këngëtaren Elvana Gjata si dhe për masakrën në ish Bllok (përplasja me Ervis Martinajn).

Kompania e ndërtimit “Victoria Construction”, sipas SPAK-ut, kamuflon edhe kullën e famshme te ish Ekspozita Shqipëria Sot, me emrin “Ekspozita Building”, 93 metra e lartë, një investim me vlerë mbi 200 milionë euro. Leja është firmosur nga Edi Rama në 8 nëntor 2019.

Adriana Berberi, e lakuar për afera korruptive për tre dekada, në poste të rëndësishme publike edhe pse ka dalë në pension, është tezja e Ervin Matës dhe dyshohet edhe ‘mentore’ e tij për pastrimin e parave, por edhe ‘mësuese’ e nuses së saj Bora Muzhaqi, ministres së memeve, por me pasuri me vlerë miliona euro, përfshirë edhe 3 vila në SHBA.


Berberi me të birin dhe nuse Muzhaqin dyshohet se kanë pastruar miliona euro, produkt i aferave korruptive dhe trafikut të drogës, por kjo është një histori tjetër e thellë dhe me shumë fije.
Vilma Nushi mbulon pastrimin e parave? 3 milionë euro në llogarinë e kompanisë së kullës
Para se Edi Rama të jepte lejen për kullën tek ish Ekspozita, Vilma Nushi në vitin 2018 dhe në vijim ka kaluar mbi 3 milionë euro në llogarinë e kompanisë Victoria Construction që po ndërton kullën, sipas SPAK me para që vijnë nga trafiku i kokainës. Vilma Nushi është gruaja që personifikon aferën korruptive të koncensionit të check up-it, ku vetëm me analiza të pakryera dhe rimburismin e padrejtë të TVSH, sipas KLSH-së, ka futur në xhep mbi 6 milionë euro nga taksat e shqiptarëve.

Koncensioni i check up-it po hetohet nga SPAK-u. Vilma Nushi është organizatorja dhe përfituesja e aferës flagrante korruptive me paratë publike, me kosto 130 milionë euro, plus 70 milionë euro tendera. Nushi ka përfshirë dhe përdorur si kamuflim edhe burrin e mbesës së saj, të birin, nipin, motrën, kunatin dhe punonjëse të saj, ku në bashkëpunim me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, kupolën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe degë të saj, ka përfituar miliona euro në formë të kundraligjshme.

Pikërisht përmes “Marketing Distribution”, kompanisë së famshme të “check up”-it, Vilma Nushi ka kaluar mbi 3 milionë euro në llogarinë e kompanisë Victoria Construction që po ndërton kullën. Nuk ka dyshim që paratë janë produkt i aferës së check up-it, por nuk dihet nëse Vilma Nushi ka mbuluar Ervin Matën për kamuflimin e pastrimit të parave, duke përzier paratë e korrupsionit me të drogës apo zonja Nushi ka dashur të blejë ambiente tek kulla, për të cilën ende nuk ishte dhënë leje tek Edi Rama.
Albana Vokshi sherr me Vilma Nushin
Deputetja e PD-së Albana Vokshi dhe Vilma Nushi janë përfshirë në një përplasje të gjatë dhe të egër verbale. Në korrik të këtij viti, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli të pafajshme Albana Vokshin, e cila akuzohej nga Vilma Nushi për shpifje.

Albana Vokshi ka akuzuar Vilma Nushin për aferën e check up-it. Vokshi shfrytëzoi edhe pozicionin si kryetare të komisionit hetimor për aferën e check up-it, duke akuzuar Vilma Nushin. Vokshi kërkoi të thirrej Vilma Nushi në komision, për t’a marrë në pyetje, por kërkesa e saj nuk u pranua nga socialistët. Vokshi ka kallëzuar Vilma Nushin edhe në SPAK.
Nuk ka dyshim që check up-i është një aferë korruptive e pandëshkuar, por pyetja që shtrohet është; A ka qenë check up-i halli i vërtetë i Vokshit që i është turrur Vilma Bushit apo ka qenë alibi për një hall tjetër?
Pse Vokshi nuk e ngre zërin edhe për koncensionet e tjera, atë të hemodializës 85 milionë euro dhe të laboratorëve 130 milionë euro?
A nuk janë dy koncensionet e tjera 215 milionë euro po aq korruptivë sa check up-i? Që të tre koncensionet po hetohen nga SPAK, po pse Vokshi flet vetëm për atë të Vilma Nushit?
Faktet dhe rrethanat që do të paraqesim më poshtë besojmë se i japin përgjigje këtyre pyetjeve. Faktet dhe rrethanat ngrenë dyshime të forta se shkaku i sherrit të Albana Vokshit dhe Vilma Nushit është kulla te ish Ekspozita, e sekuestruar nga SPAK-u.
Lidhja e motrave Mimoza e Albana Vokshi me kullën e kokainës
Babai i fëmijëve të Albana Vokshit, Arian Tartari, është aksioner tek kulla me vlerë investimi dhjetëra milionë euro tek ish Ekspozita, sekuestruar nga SPAK si produkt i aktivitetit kriminal të Ervin Matës si trafikant kokaine. Motrat Vokshi kanë siguruar pronën publike, përmes grabitjes, ku do ndërtohet kulla. Pronën e kanë kaluar në emër të kompanive të Arian Tartarit, bashkëshorti i Albana Vokshit.

Ervin Mata do financojë ndërtimin e kullës. Ndërtimi do ndahet sipas roleve. Futja e Vilma Nushit si investitore, duket se ka prodhuar mosmarrëveshje dhe përplasje me Albana Vokshin, e cila duke përdorur foltoren e PD-së dhe mandatin si deputete, ka sulmuar Vilma Nushin, në dukje për koncensionin 130 milionë euro, por realisht për interesat e saj korruptive.
Skemë korrupsioni. Në skenë edhe Shkëlzeni?
Korrupsioni konsiston tek përvetësimi i një pjese toke shtetërore, mbi të cilën po ndërtohet kulla private, sipas SPAK-ut, me paratë e trafiqeve të kokainës.

Letrat e privatizimit janë kopsitur nga Mimoza Vokshi që prona të kalojë në duart e kunatit Arian Tartari, i cili është burri i motrës së saj Albana Vokshi, për të ngritur këtë kullë që shihni në foto, pas të cilës qëndron edhe hija e Shkëlzen Berishës, përmes Rrahman Selmanllarit.
Ministria e Ekonomisë me në krye Genc Rulin nga viti 2005 deri në vitin 2009 finalizonte me letra tjetërsimin e pasurive publike në favor të klientëve të qeverisë së Sali Berishës dhe sidomos të Familjes së tij, herë me një tarifë të ulët dhe herë pa asnjë qindarkë.

Ruli ka një rol kyç edhe në kalimin e pronës shtetërore ish Klubi Partizani në duart e dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, në këtë rast në koordinim me Ridvan Boden, Arben Imamin dhe Xhemal Gjunkshin.
Ministria e Ekonomisë ka kaluar një pjesë të pronës publike tek ish Ekspozita në emër të ish pronarëve të pretenduar, pas të cilëve qëndronin burri i Vokshit me shokun e Shkëlzenit, Rrahman Selmanllari.
Parakontrata
Disa nga ish pronarët e një pjese të truallit tek ish-ekspozita “Shqiperia Sot” kishin lidhur një parakontratë me kompaninë “Vision Construction”, e cila merrte përsipër procesin e privatizimit edhe të tokës shtetërore, në këmbim të një pjese të truallit për ndërtim.
Bashkëshorti i Albana Vokshit, Arian Tartari, rezulton aksioner me 50 % në kompaninë Vision Construction.
Aksioneri tjetër është ‘vëllai’ i Shkëlzen Berishës në Gërdec dhe në aferat me prona të Familjes, Rrahman Selmanllari.
Është aplikuar e njëjta skemë si ajo e Jamarbër Malltezit, i cili nga trashëgimtar i pretenduar i 113 m2 tokë, arriti të bëhej aksioner deri në 60 % i 19 kullave, duke përdorur pushtetin e vjehrrit kryeministër dhe investuar paratë e pista.
Në rastin konkret, burri i Albana Volshit dhe shoku i Shkëlzenit kanë lidhur një parakontratë me ish pronarët, duke u marrë një pjesë të truallit, në këmbim të angazhimit të tyre tek qeveria Berisha për t’u kthyer jo vetëm pronën e pretenduar, por edhe një pjesë të pronës publike pa një pretendim pronësie.
Parakontrata mes Tartarit dhe ish pronarëve është nënshkruar që në mars të viti 2008, pak kohë para se Ministria e Ekonomisë e drejtuar nga Genc Ruli të niste procesin privatizimit duke prishur në mënyrë të njëanshme kontratat me subjektet qiramarrese në ambientet e Ish-ekspozitës.
Roli i Mimoza Vokshit
Në sfondin e kësaj skeme korrupsioni dhe zhvatje të pasurisë publike shfaqet Mimoza Vokshi, motra e Albana Vokshit, një nga nyjet e shumë privatizimeve korruptive dhe aferave në Ministrinë e Ekonomisë.

Privatizimi u drejtua pikërisht nga Mimoza Vokshi, në atë kohë drejtoreshë në Ministrinë e Ekonomisë.
Mimoza Vokshi është angazhuar si zyrtare e lartë e Ministrisë së Ekonomisë që një pjesë e pronës publike të kalojë në favor të kompanisë së kunatit të saj, Arian Tartari, rrjedhimisht në favor të motrës së saj, Abana Vokshi.
Në atë kohë, Genc Ruli u mbrojt duke theksuar se po kthehej prona tek ish pronarët.“Ligji kërkon shprehimisht dhe detyrimisht që prona t’u kthehet ish-pronarëve, ose përparësinë që kanë ish-pronarët në blerjet e pronave që ngrihen mbi truallin e tyre që kanë zotëruar”, thoshte Ruli.
Por, ka një fakt që rrëzon Rulin. Në dokumentet e privatizimit është vendosur çmim për pronën. Çmimi ishte vendosur 42 mijë lekë për m2.
Nëse kishim të bënim me një proces të kthimit të pronës tek ish pronari, nuk kishte pse ministria t’i vendoste tarifë dhe të shiste pronën publike.
Në çdo rast kthimi i pronës tek ish pronari është bërë dhe bëhet edhe sot pa pagesë.
Çmimi është vendosur pasi është shitur një pjesë e pronës publike me çmim më të ulët se sa vlera reale (62 mijë lekë për m2) në favor të burrit të Albana Vokshit dhe mëkëmbësit të Shkëlzen Berishës për të ndërtuar kullën me paratë e Ervin Matës.
Nuk kemi të bëjmë thjeshtë me konflikt intetesi dhe pastrim parash, por me një skemë të qartë korruptive me produkt përvetësimin e pasurisë publike nga motrat Mimoza dhe Albana Vokshi.
SPAK para provës
Në vitin 2008, Partia Socialiste denoncoi publikisht skemën e korrupsionit dhe përdorimin e pushtetit nga Sali Berisha për të pasuruar oborrtarët e partisë së tij.
Por, Prokuroria në ato vite nuk guxonte të regjistronte qoftë edhe formalisht një procedim penal për korrupsionin e qeverisë Berisha. Mbetet për t’u parë nëse SPAK-u do të zgjerojë hetimet tek skema e privatizimit të truallit.