Trump fton Zelensky-n në Uashington, takimi do të zhvillohet të hënën

Botë

Publikuar: 16/08/2025

Trump fton Zelensky-n në Uashington, takimi do të zhvillohet të hënën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka konfirmuar se të hënën do të zhvillojë një takim në Uashington me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me qëllim diskutimin e mënyrave konkrete për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Në një postim në Telegram, Zelensky u shpreh “mirënjohës për ftesën”, duke nënvizuar gatishmërinë e vendit të tij për të bashkëpunuar me të gjitha palët që mbështesin paqen.

Ukraina konfirmon se është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha forcat për arritjen e paqes. Presidenti Trump më informoi për takimin e tij me udhëheqësin rus dhe për pikat kryesore të diskutimit të tyre. Është e rëndësishme që ndikimi i Shteteve të Bashkuara të reflektohet realisht në zhvillimet e situatës,” deklaroi Zelensky.

Takimi i pritshëm në Uashington vjen pas takimit të zhvilluar në Alaskë mes Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin — takim që ka ngjallur interes dhe debate në skenën ndërkombëtare. Kjo do të jetë reagimi i parë publik i Zelenskyt pas kësaj ngjarjeje.

Në deklaratën e tij, Zelensky shtoi:

Të hënën do të takohem me Presidentin Trump në Uashington, për të diskutuar në detaje hapat e nevojshëm për ndalimin e luftës dhe vrasjeve. Jam thellësisht mirënjohës për këtë ftesë.”

Ndërkohë, pas bisedës telefonike me presidentin ukrainas, Trump ka zhvilluar komunikime edhe me liderët e NATO-s, përfshirë një bisedë telefonike me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe krerë të tjerë europianë, për t’i informuar mbi detajet e bisedimeve me presidentin Putin.

Ky raund i ri diplomatik shënon një përpjekje të intensifikuar për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe për të eksploruar mundësitë për një zgjidhje paqësore.