Vijojnë flakët në ‘Syrin e Kaltër’ në Sarandë, 1 avion dhe 1 helikopter po punojnë për shuarjen

Kronike

Publikuar: 12/08/2025

Vijojnë flakët në ‘Syrin e Kaltër’ në Sarandë, 1 avion dhe 1 helikopter po punojnë për shuarjen

Shqipëria është prekur nga zjarret në disa zona të vendit nga veriu në jug.

Zjarri që ra në zonën e Syrit të Kaltër në Sarandë, ku pasditen e djeshme mori përmasa të mëdha, ka vijuar edhe gjatë natës por me intensitet të ulët. Në fshatin Pecë, vatra e zjarrit është fikur gjatë natës. Prej orëve të para të mëngjesit në Syrin e Kaltër po operojnë 1 avion Canadair dhe 1 helikopter.

Ditën e djeshme u bë evakuimi i vizitorëve nga parku natyror. Qarkullimi Muzinë-Sarandë u mbyll pasi flakët gjigande zbritën deri në rrugë. Problematike u paraqit situata edhe në segmentin Bistricë-Muzinë.

Situata e rëndë ishte edhe në Finiq, ku prej disa ditësh flakët po kalojnë nga njëri fshat në tjetrin. Në fshatin Leshnicë e Poshtme të Finiqit u dogjën disa banesa. Edhe në Poliçan të Beratit zjarri mori përmasa të mëdha në mal. 

Një vatër zjarri ra edhe në fshatin Xath të Fushë Arrëzit, ku u evakuuan banorët.