Tërmeti në Turqi shembi 16 ndërtesa; një grua humb jetën, 29 persona të plagosur

Botë

Publikuar: 11/08/2025

Tërmeti në Turqi shembi 16 ndërtesa; një grua humb jetën, 29 persona të plagosur

Një grua ka humbur jetën dhe 29 persona u plagosën si pasojë e shëmbjes së ndërtesave nga tërmeti që goditi provincën veriperëndimore të Balikesir, mbrëmjen e së dielës. Tërmeti me magnitudë 6.1 të Shkallës Rihter u pasua edhe nga 3 lëkundje të tjera me magnitude më të vogla.

Një grua 81-vjeçare ndërroi jetë pak pasi u nxor nga rrënojat në qytetin Sindirgi, që ishte epiqendra e tërmetit, tha ministri i brendshëm i Turqisë.

Si pasojë e tërmetit 16 ndërtesa u shembën dhe 29 persona u plagosën, shtoi Ali Yerlikaya.

Agjencia turke për menaxhimin e fatkeqësive tha se tërmeti u regjistrua rreth orës 19:53 sipas orës lokale.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan lëshoi një deklaratë duke u uruar shërim të shpejtë të gjithë atyre që u prekën dhe tha se të gjitha përpjekjet e rimëkëmbjes po monitorohen nga afër.

“Zoti e ruajttë vendin tonë nga çdo lloj fatkeqësie”, shkroi ai në X.

Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar dhe ministri i brendshëm tha se nuk kishte shenja të tjera të dëmeve serioze apo viktimave.

Megjithatë, fotografitë nga Sindirgi tregojnë ndërtesa të mëdha të rrafshuara plotësisht dhe grumbuj gjigantë metali të përdredhur dhe mbeturinash.

Turqia ndodhet në kryqëzimin e tre pllakave kryesore tektonike dhe si rezultat përjeton aktivitet të shpeshtë sizmik.

Në shkurt të vitit 2023, më shumë se 50,000 njerëz u vranë kur një tërmet me magnitudë 7.8 ballë shkatërroi rajonin juglindor të vendit.

5,000 të tjerë u vranë në Sirinë fqinje.

Më shumë se dy vjet pas atij tërmeti, qindra mijëra njerëz mbeten të zhvendosur.