Një natë e gjatë dhe sfiduese është regjistruar në zonën e Finiqit, ku ekipet zjarrfikëse të bashkive Finiq, Delvinë, Konispol dhe Sarandë, të mbështetura nga 5 mjete zjarrfikëse dhe 70 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe 20 efektivë të Policisë së Shtetit, kanë luftuar pa ndërprerje me disa vatra zjarri të favorizuara nga era e fortë.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, flakët janë përhapur në fshatrat Velahovë, Livinë, Ardhasovë, Bistricë dhe Krongj.
Zjarri po përhapet me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta, duke kërcënuar drejtpërdrejt jetën dhe pronat e banorëve.
Për shkak të rrezikut, është kryer evakuimi i përkohshëm i banorëve në Livinë dhe Ardhasovë, ndërsa janë marrë masa për të ofruar asistencë mjekësore për personat e moshuar.
“Forcat operacionale dhe ato vullnetare siguruan mbrojtjen e çdo banese dhe biznesi të rrezikuar,” theksoi ministri.
Në orët e para të mëngjesit, është zhvilluar një operacion për të ndaluar përhapjen e flakëve që kërcënonin Hidrocentralin e Bistricës. Në zonë pritet të ndërhyhet edhe nga ajri për të garantuar shuarjen e plotë të zjarrit.
Autoritetet kanë njoftuar se, për arsye sigurie, qarkullimi i mjeteve në aksin Muzinë–Bistricë do të mbetet i kufizuar deri në përfundim të operacioneve. Forcat në terren vijojnë kontrollin e çdo hapësire që mund të riaktivizohet nga era dhe temperaturat e larta që pritet të mbizotërojnë gjatë ditës së sotme.