Pretendimeve të sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka për blerje votash më 11 maj dhe grabitje të pushtetit, iu përgjigj ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Taulant Balla.
Balla ironizoi lidhur me “nenin Basha”, i shpallur nga Berisha në nëntor 2021.
Kreu i PD-së deklaroi asokohe se nëse një kryetar i Partisë Demokratike do të humbë zgjedhjet, atëherë ai do të duhet t’i thotë lamtumirë partisë.
Pas humbjes në zgjedhjet e 11 majit, Berisha nuk u dorëhoq dhe deklaroi se do të vijojë betejën për t’i siguruar shqiptarëve votën e lirë.
Taulant Balla: E kuptoj që në partinë tuaj e keni të vështirë të aplikoni nenin Basha. E kuptoj shumë mirë gjithçka që jeni duke bërë, edhe përpjekjen tuaj në KQZ ku çdo ditë po turpëroheni para publikut se si po bien një nga një të gjitha pretendimet tuaja. E kuptoj që ju i shmangeni një beteje të brendshme. Zgjedhjet kanë përfunudar. PS ka fituar, ju keni marrë 300 mijë e kusur vota më pak. Gjejini ku kanë shkuar votat tuaja.
Flamur Noka: Se çfarë ndodhi më 11 maj nuk kemi nevojë ta themi ne. Raporti i OSBE/ODIHR foli qartë.