Xhevdet Plaku është një ndër personat e arrestuar në megaoperacionin e zhvilluar mëngjesin e së premtes, nga forcat RENEA dhe Policia e Shtetit.
Plaku, është një person i njohur për policinë. Për 25 vite me radhë, ai është përfshirë në krime në tri shtete, Itali, Shqipëri dhe Holandë.
Ndër të tjera, Xhevdet Plaku është akuzuar për dy vrasje. E para ka ndodhur në vitin 2000, kur vrau Sali Rapin, vëllain e Rexhep Rapit në Borghetto Santo Spirito, në provincën e Savonës. Një ekzekutim gjakftohtë me një plumb në kokë si pjesë e një grindjeje mes bandash.
Vrasja e dytë ka ndodhur tre vjet më vonë, në Durrës, ku ishte kthyer për të jetuar. Në vitin 2019, tentuan ta vrisnin ndoshta për të hakmarrë ndaj Rapit, por sulmi nuk u realizua kurrë. Por nuk mbaron këtu.
Plaku është gjithashtu në krye të një organizate kriminale që importonte kokainë nga Holanda dhe Belgjika. Paketat e drogës kishin emra që dukeshin si nga një katalog mode: “Hermes” për cilësinë më të pastër, “PlayBoy” për atë më të ulët.
Emri i Xhevdet Plakut doli dhe në dosjen e SPAK për grupin e trafikut të drogës pjesë e së cilës ishte dhe ish-shef i krimeve të Komisariatit nr. 6 Dedan Gjoni dhe Erzen Breçani.
Zbardhja e përgjimeve të Sky ECC zbuluan se Akili, që përdorte 25 identitete, i akuzuar si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës me qendër në Amsterdam u tentua të vritej nga i forti i Shijakut Rexhep Rapi më 17 shtator 2019.
Përgjimet zbardhën bashkëpunimin e Rapit me Gjonin për të kryer vrasjen para komisariatit të Durrësit, si hakmarrje pasi e akuzonte për vrasjen e vëllat të tij Sali Rapi të ndodhur në 2014-ën në Itali.
Ai u ka shpëtuar të paktën 5 atentateve të dokumentuara. Është ekstraduar 4 herë nga Interpoli.
Ka arritur t’i shpëtojë dënimit për vrasje në rrethana të dyshimta, herë për pushim hetimesh e herë për gabime proceduriale. Koha më e gjatë që ka qëndruar në qeli në këto 25 vjet, ka qenë pak më shumë se 4 vjet.