Listat e kandidatëve për deputetë nxisin debate

Politikë

Publikuar: 13/03/2025

Listat e kandidatëve për deputetë nxisin debate

Në Shqipëri partitë politike që garojnë në zgjedhjet e 11 majit për 140 vende në parlament kanë përmbyllur mes diskutimesh dhe debatesh listat e kandidatëve për deputetë.

Ndërsa socialistët synojnë të rifreskojnë shumicën dërrmuese të grupit të tyre parlamentar, koalicioni i gjerë opozitar i udhëhequr nga Partia Demokratike, ka ruajtur bërthamën e grupit të saj, duke ofruar vende të sigurta dhe për aleatët kryesorë.

Vëzhgues të zhvillimeve politike në vend, shohin me shqetësim ndikimin mbizotërues të kryetarëve të partive në këtë proces. Janë 11 subjekte zgjedhore, parti e koalicione, të cilat dorëzuan, në KQZ, në përmbyllje të afatit ligjor, listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e pritshme politike.

Por beteja kryesore politike, mbetet ajo mes Partisë Socialiste e cila pas 12 vitesh në pushtet, kërkon një mandat të katërt, dhe opozitës së udhëhequr nga Partia Demokratike, ku zoti Berisha ka ndërtuar një koalicion të madh në numra, në përpjekje për të zbutur dhe efektin e fragmentarizimit të së djathtës. Komiteti Shqiptar i Helsinkit në një koment për Zërin e Amerikës, mbi procesin e hartimit të listave nga partitë, u shpreh se vëren një zbehje të nivelit të brendshëm të demokracisë.

“Ne shohim forma autoritare, dhe jo liberale e demokratike në mënyrën se si bëhet përzgjedhja e kandidatëve. Duket se ka një propagandë për publikun kur thuhet se janë zgjedhur përmes platformave ose garës që zhvillohet mes anëtarëve por të dhënat e deritanishme treguan që kandidatët më të votuar nga anëtarët e partive u tërhoqën. Edhe për kandidatët që u votuan nga platformat nuk pati transparencë se si u ndërtuan këto platforma dhe si u zhvillua procesi i përzgjedhjes, apo sa vota mori secili prej kandidatëve që shprehu interes për të qenë pjesë e këtyre platformave”- argumentoi për Zërin e Amerikës Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.