Zyrtarja e partisë “Demokratët Euroatlantikë”, Taulanda Jupi, deklaroi se demokratët euro- atlantikë, që kanë qenë pjesë PD-së, janë për një front opozitar, i cili bashkon të gjitha flukset opozitare me qëllim arritjen e fitores në zgjedhjet e 11 majit.
Jupi tregoi dhe arsyen se përse Lulzim Basha e regjistroi partinë në emër të ish-deputetit të PD-së Endri Hasa.
“Ne do të jemi në zgjedhjet e 11 majit, por janë dhe disa dinamika që zgjojnë vëmendje. Është moment i rëndësishëm, për mënyrën se si forcat politike opozitare po afrohen drejt koalicioneve.
Edhe unë e kam kërkuar këtë nga të gjitha flukset opozitare. Kam kontaktuar me mjaft drejtues të partive të opozitës. Përtej retorikës politike, ata kanë përgjegjësinë që tu ofrojnë qytetarëve një alternativë të besueshme. Ne na bëjnë bashkë shumë gjëra si: të jemi në krah të SPAK, listat e hapura, të jemi aleatë me BE, SHBA dhe Britaninë e Madhe.
Nuk duhet të ndalojmë tek emrat. Basha vijon betejën juridike, por zgjidhja për regjistrim me Edi Hasën, është për një teknikalitet juridik. Basha është drejtues dhe do të garojë në Tiranë”, tha Jupi në emisionin ‘Ngjarja kryesore’ në RTSH.