Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë disa detaje nga dorëheqja e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimin i dosjes “Toyota Auris”, meqë ajo ka gjykuar edhe sekuestrimin e pasurive të Suel Çelës, kreu i bandës së goditur nga SPAK pak muaj më parë.
“Irena Gjoka ka dhënë dorëheqjen nga dosja “Toyota Auris”, ku i pandehuri kryesor është ish-prokurori Aurel Zarka dhe tre të tjerë që akuzohen për disa episode, veçanërisht, trafikimin e 3.4 milionë eurove nga Belgjika në Shqipëri. Gjoka ka dhënë dorëheqjen sepse ka rezultuar se ka patur një dosje tjetër në proces, për sekuestrimin e pasurive të Suel Çelës, organizata kriminale e të cilit u godit së fundmi nga SPAK dhe në atë kohë, zonja Gjoka gjykonte sekuestrimin e pasurive në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” dhe meqë Zarka dhe të tjerë kishin ndërhyrë te njerëzit e drejtësisë për të çliruar pasuritë e sekuestruara të Suel Çelës dhe kanë biseduar në SKY ECC, gjyqtarja ka dhënë dorëheqjen.
A rezulton zonja Gjoka e implikuar në përgjimet e SKY ECC? Këtë do ta thonë hetimet, por ajo tani nuk është nën hetim. Prokuroria e Posaçme, pasi dorëzoi dosjen “Toyota Auris”, po heton një të dytë të prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë qenë të implikuar dhe njerëzve të politikës.
“Toyota Auris” mori emrin si dosja e madhe, pasi u bllokuan paratë në portin e Durrësit. Për 3.4 milionë eurot u dënua vetëm një person. Krahas këtij është tentuar të liroheshin edhe pasuritë e Suel Çelës.
Këto para u bllokuan pasi ish-kreu i PD-së Lulzim Basha denoncoi në Kuvend kur ende nuk kishin arritur paratë dhe pati akuza mes tij dhe Ballës. Meqë paratë erdhën nga Belgjika, hynë edhe belgët në lojë”-tha Lala.