Nga Adriatik Doçi
Në ditën e përshpirtjes së Kryepeshkopit Janullatos, përkoi të përkujtohej edhe dita e lindjes së Ismail Kadaresë. Shkrimtari ynë do të mbushte 89 vjeç, nëse nuk do të ndahej nga jeta më 1 Korrik 2024. Iku në botën e përtejme, pasi në këtë tonën nuk i shpëtoi dot një arresti kardiak. Ambulanca “e shpejtë” e PS-së u pengua rrugës së shpëtimit nga trafiku i protestës së PD-së.
Ashtu si në të gjallë, edhe sot, elozhierët profesionistë të politikës testojnë pafytyrësinë e tyre me copëza urimesh letrare për gjeniun e letrave shqipe. Kush e kush ta lartësojë sa më shumë “kolosin”, “patriarkun”, “të ndriturin” Kadare, paçka se Ai as nuk kishte, as ka nevojë. Franca e Balzakut, Hygoit, Molierit dhe e Gustav Floberit e nderoi shqiptarin Kadare më shumë se çdo jofrancez tjetër. Presidenti François Hollande i dha Ismail Kadaresë urdhrin “Komandant i Legjionit të Nderit”, ndërsa presidenti tjetër Macron, erdhi në Tiranë dhe personalisht i akordoi dekoratën “Oficer i Lartë i Legjionit të Nderit”. 45 gjuhë të botës e lexojnë dhe admirojnë shkrimtarin tonë, si askënd tjetër në Ballkan e në shumicën e Europës.
Ndryshe nga ne, ku dy palët që e “vdiqën”, garojnë së bashku për vlerësimin dhe jo leximin e tij. Kjo ka ndodhur në të gjallë, kur të gjithë reshtoheshin me urime e lëvdata, më shumë nga frika ndaj kolosit se sa adhurimi. Kjo vazhdoi edhe dje, kur kryetarja dhe nënkryetari i Parlamentit u “kacafytën” me mesazhe patetike në përkujtim të gjeniut tonë.
Doktor Gjekmarkaj e spërdrodhi belin fort në vallen këngë për doktor Sali Berishën, kur daulles i binte doktor Mziu; ndryshe nga Spiropali, që pa iu tundur qerpiku e quajti kryeministrin Rama “Skënderbeun” e shqiptarëve.
“Pilivesa” nga Lapraka dhe “Dhjaku” bejtexhi kanë nga një mit të përditshëm, për t’i bërë temena; të dy kanë detyrën e shëlbimit të përvitshëm, që gjeniut t’i bëjnë hosana.
Po sikur shkrimtari t’ju kërkonte të mohonin Skënderbeun dhe prijësin, ç’do të ndodhte?!
Akademia e Shkencave ka dërguar zyrtarisht dhjetëra herë kërkesën në Komitetin e Nobelit të Akademisë Suedeze për t’i dhënë çmimin Nobel Ismail Kadaresë, por po kaq herë letra anonime janë nisur nga Shqipëria për t’ia mohuar këtë nder të fundit shkrimtarit tonë.
Shqiptarin e jashtëzakonshëm e nderuan ditën dhe e sulmuan natën, deri ditën kur e lanë pa frymë në ambulancën me trafik. Si atëherë kur donin t’i vrisnin edhe muzën…
Rreth 20 vite më parë, apartamenti i shkrimtarit në ngrehinën “Sky Tower” shihte nga mali i Dajtit, mëngjeseve kur ai gjerbte kafenë që piqej në Shqipërinë e tij. Aty Kadare shkroi dy prej sprovave më të fuqishme letrare, për kombin, historinë tonë.
Nuk qe e thënë që shkrimtari të vazhdonte të shkruante mëngjeseve kur lindte dielli mbi Dajt dhe tryeza ku shkruante t’I mbushej me ajër dhe frymëzim. Përballë kullës “Sky Tower” të PS-së u ngrit kulla “Mulaj” e PD-së, duke ia hequr njëherë e përgjithmonë malin nga muza, shkrimtarit.
Kadare nuk iu ankua “fatit” të keq të apartamentit, as nuk bëri ndonjë roman piedestal mbi krimin mjedisor e shpirtëror të vendit të tij. Ai u kthye në Francë, atje shkroi “Mëngjeset në Kafe Rostand” kushtuar Parisit, më pas erdhi përsëri në Shqipëri, e admiroi përsëri Tiranën, bashkë me “Mulaj” dhe “Sky Tower” që bënin gara lartësie e jo letërsie.
Për nostalgji, para se të ndërronte jetë, shkrimtari u ngjit në apartamentin që dikur shihte “Dajt”. Në rrezen e dritares së tij, pak metra përballë, ai gjeti hijen e dritareve të pushtetit, atje ku pa një si re të njohur. Antenat e Dajtit nuk shiheshin më. Apartamenti 6/5, kati i shtatë, i kullës “Mulaj” kishte zaptuar horizontin drejt tyre. Vështrimi të lejonte vetëm muret dhe ngjyrën e thartë të një fjetoreje ku bëhej bisnes. “SLR ALBANIA (M21402042N)” me zotërues Ledian Ruçi bënte projekte fotovoltaike dhe eolike, ballë për ballë shkrimtarit. Burri që nxinte në dritaren që kishte arrestuar diellin, ishte babai i tij…!