Prapaskena

Investigim

Rejsi Farma e Merita Sheqit e mbushur me ilaçe të skaduara, Albana Çela e FSDKSH mbuloi krimin, në lojë edhe Manastirliu 

Publikuar: 22/06/2024

Një raport i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon se Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sidomos gjatë drejtimit nga Albana Çela (Adhami) dhe shefja e saj Ogerta Manastirliu, në bashkëpunim me depot farmaceutike, një rrjet farmacish dhe mjekësh, janë përfshirë në skema mashtrimi dhe shkeljesh të rënda me barna të skaduara, receta fiktive dhe skema të tjera zhvatje.

Prapaskena ka mësuar (raporti eviton ekpozimin e emrave të subjekteve), se në listën e depove farmaceotike të mbushura me ilaçe të skaduara, të cilat mund të hidhen në treg dhe të përfshihen në skemën e rimbursimit, është edhe Rejsi Farma (J91419001U), simbol i mafies së ilaçeve, në pronësi të çiftit Merita dhe Nexhat Sheqi.

Gjatë kontrollit që ka kryer FSDKSH, në 21 dhjetor 2022, në depon importuese farmaceutike Rejsi Farma janë konstatuar 18. medikamente të skaduara, në sasinë 12 mijë copë, me vlerë mbi 400 mijë euro.

Afati i skadencës për këto ilaçe të rimburueshme kishte kaluar mbi 1 vit.

Sipas KLSH-së, për këto medikamente nuk ka një dokument ose proces-verbal të lëshuar nga autoritetet kompetente si dhe nuk është kryer procedura e rregullt për nxjerrjen jashtë përdorimit të tyre, duke mos njoftuar Drejtorin Rajonale Tatimore përkatëse nën juridiksionin të cilës i përket, si dhe duke mos marrë miratim nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, sipas përcaktimeve ligjore.

Për këto barna nga grupi i kontrollit është mbajtur proces-verbali me shkrim dore, i pa shoqëruar më evidenca fotografike të mjedisit të veçuar dhe të barnave me mbishkrimin të skaduara, veprime të cilat janë në kundërshtim me ligjin dhe favorizuese për subjektin Rejsi Farma.

Jo vetëm kaq. Por, grupi i kontrollit (Shpend Stajku, Enida Hoxhaj, Evarist Jaku, Bledar Gallushi dhe Dorjan Hysi) ka përzgjedhur vetëm 55 bama që ka dashur Merita Sheqi nga 146 barna të miratuara sipas kontratës së lidhur midis subjektit “Rejsi Farma” SHPK dhe FSDKSH-së.

Këto veprime për të mbuluar mafien e ilaçeve Rejsi Farma janë në kundërshtim me pikën 1 të Kapitullit III të “Për kontrollin në depot farmaceutike të bamave të kontraktuara nga fandi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor të Rregullores Nr.3, datë 22.10.2014 “Për procedurën dhe mënyrën e kontrollit të dhënësve të shërbimit të kontraktuara me fondin”.

KLSH ka konkluduar se “mungesa e kryerjes në kohë dhe të dokumentuar sipas përcaktimeve të kuadrit rregullator tatimor dhe të marrëveshjes kontraktuale për rimbursim në rastin e daljes së barnave jashtë përdorimit, sjell risk në gjendjen e saktë reale inventariale të barnave të rimbursueshme sipas LBR-së, si dhe në nivelin e rimbursimit të përfituar nga Depo-Importuese “Rejsi Farma”, dhe gjithashtu riskun e rifutjes në qarkullim të barnave të skaduara me qëllim përfitimin e rimbursimin, por me pasoja në shëndetin e pacientëve“.

Ka dyshime të forta se Merita Sheqi, për të mbuluar aktivitetin e paligjshëm me ilaçet e skaduara dhe skemat mashtuese me rimbursime fiktive, ka paguar drejtuesen e Fondit, Albana Çela, e cila paratë dyshohet se i ka ndarë me shefen e saj, Ogerta Manastirliun, e cila e mbajti Çelën si të besuar për tre vite në krye të Fondit.

Sigurisht që skema ka funksionuar edhe me depo të tjera farmaceotike dhe farmaci, të cilat do t’i denoncojmë në ditët në vijim pasi janë pasuruar duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.

Kupola e Fondit që mbulon mafien e ilaçeve

Albana Çela, në cilësinë e ish Drejtorit i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.

Shpend Stojku, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Kontrollit pranë Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.

Evarist Jaku, në cilësinë e Përgjegjësit të Sektorit të Kontrollit të Depove Farmaceutike pranë Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.

Enida Hoxhaj, në cilësinë e Specialistit të Sektorit të Kontrollit të Depove Farmaceutike pranë Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.

Bledar Gallushi, në cilësinë e Specialistit të Sektorit të Kontrollit të Depove Farmaceutike pranë Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.

Dorjan Hysi, në cilësinë e Specialistit të Sektorit të Kontrollit të Depove Farmaceutike pranë Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor.

Skama e mashtrimit me rimbursimin

KLSH konstaton vijimin e skemës së mashtrimit me barnat e rimbursueshme, përmes recetave fiktive, si dhe daljen jashtë kontrollit të FSDKSH të depove farmaceutike, të cilat janë përfshirë në abuzime me pasoja të rënda jo vetëm në buxhetin e shtetit, por pikësëpari në shëndetin e qytetarëve.

Duke u ndalur te skema e rimbursimit, KLSH konstaton se janë plotësuar receta për 60 pacientë, të cilët nuk jetonin. Në raport thuhet se numri i rasteve është më i lartë.

Nga auditimi janë konstatuar 24 raste për vitin 2021, në vlerën 150,518 dhe 36 raste për vitin 2022, në vlerën 221,843 lekë, në të cilat identifikohen pacientë që kanë ndërruar jetë (sipas informacionit të përcjellë nga DPGJC) të cilët rezultojnë përfitues të rimbursimit pasi kanë ndërruar jetë, duke përfshirë mjekë që plotësojnë receta dhe farmaci që ekzekutojnë këto receta. Testimi është kryer duke përfshirë të gjitha DRF-të që kanë rezultuar me raste për t’u verifikuar, nga ku janë konstatuar gjenerim dhe rimbursim i padrejtë për periudhën objekt auditimi në total 61 raste, në vlerën 372,361 lekë. Shtrirja e këtyre problematikave do të ishte më e lartë në rast të të dhënave të plota referuar edhe shkallës së përhapjes së anomalive në sistem në DRF të ndryshme. Gjithashtu, nga testimi i të dhënave janë konstatuar edhe raste të cilat kanë përfituar rimbursim në të njëjtën ditë me ditën në të cilën pacientët kanë ndërruar jetë, të cilat nuk janë marrë në konsideratë për efekt të raportimit nga ana jonë, por ka dhe raste ku konstatohet lëshimi i shumë recetave brenda një kohe të shkurtër përpara se pacientët të ndërrojnë jetë“, thuhet në raport.

Në vijim, KLSH konstaton se sasia e barnave të rimburuara është më e madhe se se sasia që ka hyrë në farmacinë e QSUT nga depot farmaceutike.

Në zbatim të kontratës tre palëshe ndërmjet DSHSU, depove farmaceutike dhe farmacisë së QSUT, farmacia e spitalit dërgon në DSHSU inventarin në fund të periudhës vjetore, si dhe në çdo rast që ka ndryshim të LBR. Të dhënat mbi faturimin, rimbursimin, sasinë e gjendjeve janë objekt rakordimi referuar kontratës tre palëshe, por nga auditimi konstatohet se ky proces nuk është realizuar nga DSHSU përgjatë periudhës objekt auditimi, në kundërshtim me përcaktimet e nenit 16 të kontratës. Në mungesë të këtyre rakordimeve, nga grupi i auditimit u detajuan procedura shtesë thelbësore, ku nga përpunimi i të dhënave ka rezultuar se për 7 kode barnash, sasia e pretenduar për rimbursim, e cila është procesuar në vijim edhe për pagesë nga ana e DSHSU, është më e madhe se sasia që është bërë hyrje në farmacinë e QSUT nga këto depo, duke marrë në konsideratë edhe gjendjet në fillim dhe në fund të periudhës“, vijon raporti.

Gjithashtu KLSH konstaton se janë rimburuar më shumë se sa tre barna për një recetë, në kundërshtim flagrant me legjislacionin në fuqi.

Nga auditimi i recetave elektronike për kategoritë me rimbursim të pjesshëm dhe pensionistë, është konstatuar se janë gjeneruar dhe ekzekutuar më shumë se tre barna për recetë, në kundërshtim me përcaktimet e bëra në VKA nr. 34, datë 12.12.2019 “Për miratimin e rregullores nr. 1, datë 12.12.2019 “Mbi procedurat e përshkrimit, gjenerimit, ekzekutimit, kontrollit dhe rimbursimit të recetës elektronike e-Rx”, pika II.9. Ky konstatim është evidentuar në Drejtorinë Rajonale të Fondit Tiranë në një përhapje të gjerë. Gjithashtu janë konstatuar raste kur për të njëjtin pacient ekzistojnë receta nga më shumë se dy mjek dhe qendër shëndetësore përkatëse, duke vendosur në dyshim procesin e rimbursimit të këtyre recetave dhe ekzistencën e pacientit, referuar regjistrit elektronik të të siguruarve. Këto konstatime janë në kundërshtim me përcaktimet e bëra në VKA nr. 34 datë 12.12.2019 “Për miratimin e rregullores nr. 1, datë 12.12.2019 “Mbi procedurat e përshkrimit, gjenerimit, ekzekutimit, kontrollit dhe rimbursimit të recetës elektronike e-Rx”, pika II.3“, thuhet në raport.

Fondi si organizatë kriminale

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka identifikuar pothuajse të gjithë kupolën e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor si përgjegjës për batërdinë e depove farmaceutike, mjekëve dhe farmacistëve me ilaçet e rimbursueshme.

KLSH ka rekomanduar shkarkimin e Albana Çelës, e cila ka drejtuar FSDKSH gjatë periudhës 2020-2023. Por, Albana Çela (Adhami), që nga shtatori i vitit 2023, është zëvëndësuar nga Spartak Zekja, gjithashtu një përfaqësues i kartelit të ilaçeve në Shqipëri, madje ish pronar i depove farmaceutike dhe një kompanie që ka përfituar edhe para publike.

Albana Çela (Adhami) është lidhje e ngushtë e Ogerta Manastirliut, ish ministre e Shëndetësisë, me dosje në SPAK për aferat në shëndetësi.

Drejtoreshat e Fondit janë diktuar nga Manastirliu, e cila ka qenë kryetare e Këshillit Administrativ të Fodit, për periudhën 2017- 2023, në cilësinë e ministres së Shëndetësisë.

Albana Adhami është një nga xhepat më të thellë të korrupsionit të Ogerta Manastirliut dhe kartelit mafioz të ilaçeve, sektori më fitimprurës në Shqipëri.

Abuzimet janë penale, të shumta, të larmishme dhe të rënda. Mbetet për t’u parë nëse Prokuroria e Tiranës dhe SPAK do t’a administrojnë këtë raport.



Më të lexuarat