Është liruar pas vuajtjes së dënimit me 9 vite burg, biznesmeni Kastriot Ismailaj, pronar i kompanisë së bledhjes së borxheve DIA, e përfshirë në skandalin me CEZ.
Lajmin e bën me dije gazetari Artan Hoxha, i cili shkruan se autoritetet e Burgut te Fierit, pasi plotqsuan të gjithë dokumentacionin dhe verifikuan afatet e dënimit, vendosën të lirojnë nga burgu biznesmenin e përfshire në skandalin CEZ-DIA që trazoi politikën shqiptare për vite me radhë.
Kastriot Ismailaj u dënua me 11 vjet burgim në tetor të vitit 2017 nga Gjykata e Tiranës.
Ismailaj ka qëndruar në paraburgim rreth 2 vjet e 6 muaj që ju llogariten në 3 vjet e 9 muaj. Nga tetori i 2017 deri në mesditën e sotme 7 shtator 2023, ai ka vuajtur pjesën tjetër të dënimit.
Kastriot Ismailaj u arrestua më 12 Maj 2015 nga Sektori i Pastrimit të Parave dhe ai i Krimit Ekonomik dhe Financiar.
Ismailaj u akuzua për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”, vepra këto të kryera në bashkëpunim me persona të tjerë.
Sipas akuzës, Ismailaj duke falsifikuar dokumentat arriti të përvetësojë nga kompania CEZ, rreth 5 milionë Euro për një shërbim të cilin s’e kishte kryer.
Çështja u rikthye në dyert e SPAK pas një kërkesë që deputeti Taulant Balla bëri për rigjykimin e dosjes në vitin 2020 në ngarkim të disa personave, ndër ta edhe ish-kryeministrit Sali Berisha.
Biznesmeni ishte pronari i kompanisë “DIA”, e cila lidhi marrëveshje me “CEZ-Albania” me qëllim mbledhjen e borxheve financiare të klientëve që kishin detyrime financiare në mospagimin e energjisë elektrike në Shqipëri.
Por kjo marrëveshje ishte një dështim total dhe mashtrim me vlerë dëmi 5 milion euro. Për shkak të humbjeve të mëdha, që pësoi kompania me qendër në Pragë dhe mos mbledhja e borxheve, shteti Shqiptar vendosi të largojë firmën energjitike Çeke,“CEZ-Albania”.
Për rrjedhojë CEZ, nisi proces arbitrazhi kundër Shqipërisë për dëmet dhe Shqipëria u detyrua t’i paguajë CEZ-it 95 milionë euro për të rimarrë pronësinë e kompanisë, shkruan gazetari Hoxha.