Fakte dhe emra / Si po i përdor opozita inceneratorët për të mbuluar shalimin dhe kapjen e saj nga oligarkët. Çfarë fshihet pas heshtjes kompromentuese për kullat, Bashkim Ulajn, Gjokën, Lucën, Sandrin, Gjikurinë, Vilma Nushin, Salillarin, Fushën, Allajbeun etj

Krim & Korrupsion

Publikuar: 06/08/2023

Fakte dhe emra / Si po i përdor opozita inceneratorët për të mbuluar shalimin dhe kapjen e saj nga oligarkët. Çfarë fshihet pas heshtjes kompromentuese për kullat, Bashkim Ulajn, Gjokën, Lucën, Sandrin, Gjikurinë, Vilma Nushin, Salillarin, Fushën, Allajbeun etj

Pushteti i Rilindjes ndan prej 10 vitesh para dhe prona publike me një rreth oligarkësh, me vlerë disa miliardë euro. Kryesorët janë ish klientë të pushtetit të Sali Berishës, por me ardhjen në pushtet Edi Ramës, u kthyen nga ky i fundit, në funksion të bizneseve të tyre.

Vetëm Bashkim Ulaj, një klient epik i Familjes Berisha, ka përfituar në mënyrë të dyshimtë nga Rilindja koncensionin MilotFier me vlerë 1.2 miliardë euro, rreth 60 milionë euro tendera me Gener 2, leje, gurore dhe dhjetëra milionë euro tendera me kompani të kamufluara në emra të tjerë apo kompani false si DH Albania, me të cilën mori 32 milionë euro tendera.

Pëllumb Salillari ka përfituar me pazar në tavolinë mbi 150 milionë euro tendera, ndërsa ka shkatërruar zona të mbrojtura si dhe ka ndërtuar mijëra m2 pa leje në Tiranë.

Florenc Gjikuria, një maskë e Sandrit, ka përfituar mbi 150 milionë euro tendera klientelistë, ndërsa ka privatizuar Dhërmiun duke e mbushur me vila dhe kulla.

Klodian Allajbeu, Vilma Nushi, Janis Karathano dhe Ilir Rrapaj, kanë marrë komcesionet korruptive (sipas KLSH-së dhe hetimeve të SPAK) në shëndetësi, me vlerë mbi 400 milionë euro.

Mbi 50 milionë euro ka marrë Gentian Sula i Agikons, krahas zaptimit të KodrësDiellit dhe Farkës me kulla dhe vila.

Biznesmenë të tjerë si Rrok Gjoka dhe Shkëlqim Fusha kanë bërë kërdinë në buxhetin e shtetit me tendera klientelistë.

Artan Dulaku dhe Gjergj Luca kanë përlarë qindra mijëra m2 prona dhe objkete të ushtrisë.

Mbi 2 mijë tendera ka marrë Tom Doshi në shëndetësi dhe përfitime të tjera marramendëse.

Lista është e gjatë, por që të gjithë kanë arritur të kapin, poshtërojnë, blejnë dhe shalojnë të ashtuquajturën opozitën shqiptare.

Kush më shumë dhe kush më pak, e ka gjetur mënyrën për të ‘votuar’ tek Sali Berisha dhe Ilir Meta, me paratë që kanë marrë në buxhetin e shtetit apo nga shfrytëzimi i pasurive publike që u ka dhënë Edi Rama.

Dhjetë vite në opozitë, Sali Berisha dhe oborri i tij nuk përmend qoftë njërin prej tyre, sepse të gjithë e paguajnë përmes të birit.

Nëse dikush e pyet për njërin prejt tyre në një studio televizive, Doktorit i ikën zëri, pasi ata mbulojnë me para Shkëlzenin.

Shkëlzeni merr përqindjen si më parë në koncesionet dhe tenderat e mëdhenj, ndërsa është aksioner i kamufluar në kullat më të larta në Tiranë, ndryshe u lëshon babin dhe i denoncon.

Ndaj nuk ka se si të reagojë Sali Berisha për një kullë apo për një nga oligarkët, pasi i bie të reagojë kundër të birit.

Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit u thahet goja nëse i sfidon të përmendin një oligark.

Kur gazetari Ylli Rakipi e pyeti Belon gjatë fushatës që të përmendte 2-3 oligarkë, Belos i ra tensioni dhe ishte gati për urgjencë.

Dhe kulmi i ironisë dhe poshtërimit të popullit opizitar arrin kur Berisha, Meta dhe mediat e tyre akuzojnë Lulzim Bashën që është blerë nga Edi Rama.

Për herë të fundit oligarkët që po zhvatin Shqipërinë me Rilindjen, janë përmendur nga Lulzim Basha në 2017. Më pas, edhe Basha nisi të heshte, ndërkohë që rreth 100 biznesmenë kalonin paratë në llogaritë e kunatit të tij.

Kemi një të ashtuquajtur opozitë të degraduar, të blerë dhe shaluar nga oligarkët, një opozitë të degjeneruar, të zvetënuar moralisht, të korruptuar.

Kemi një opozitë bakshishi. Edi Rama qeveris prej 10 vitesh. Herë pas here i jep ndonjë bakshish përmes oligarkëve.

Nëse më parë, oligarkët paguanin tek kunati i Bashës, tashmë paguajnë tek Shkëlzeni dhe Meta.

Degradimi dhe shpërfytyrini i opozitës së bakshishit nuk mbaron këtu.

Për të mbuluar shitjen tek oligarkët që fryhen me para dhe pasuri publike, e ashtuquajtura opozitë denoncon si oligarkë Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin.

Vijnë zgjedhjet, humbin edhe më thellë, por Sali Berisha, Ilir Meta dhe rripi i tyre mediatik nuk i ndahen Zotos dhe Mërtirit.

Prej tre vitesh, me inceneratorët natë e ditë, ndërkohë që marrin bakshishin mujor në këmbim të heshtjes për plaçkitjet e oligarkëve.

Dhe në fund të fundit, Klod Zoto dhe Mirel Mërtiri ishin dy ish shokë të Arben Ahmetajt, të cilët ky i fundit u besoi për kamuflim biznesin e tij të inceneratorëve. Këtë thotë edhe hetimi i SPAK.

E ashtuquajtura opozitë ka marrë në mbrojtje kokën e inceneratorëve Arben Ahmetajn, ndërsa sulmon dhe ka bazuar të gjithë aksionin politik tek ish shokët e Arben Ahmetajt.

Dhe kur humbin zgjedhjet thonë se ‘na vodhi Edi Rama‘, 10 vite një refren, duke menduar se populli është budalla dhe nuk dallon dot opozitën e bakshishit, pazarit dhe shitjes së interesit publik.