Skandal / Pëllumb Gjoka urdhëronte policinë se cilin numër të përgjonte. Ibrahim Lici u përgjua për interes të Bajrave

Kryesore

Publikuar: 04/08/2023

Skandal / Pëllumb Gjoka urdhëronte policinë se cilin numër të përgjonte. Ibrahim Lici u përgjua për interes të Bajrave

Përgjimet që autoritetet franceze nxorrën nga aplikacioni SKY zbulojnë jo vetëm si funksionon porosia e vrasjeve me pagesë, por edhe se shefat e policisë në Shkodër i shërbenin rregullisht bandave kriminale.

Në bisedat mes Behar Bajrit dhe biznesmenit Pëllumb Gjoka, i cili ka porositur disa vrasje për të ekzekutuar hasmit Ibrahim Licin, Genc Tafilin, Dorian Dulin dhe Kleant Musabelliun del se ishin angazhuar edhe shefa të policisë që përdornin edhe mjetet e shtetit për të përgjuar personat e vënë në shënjestër.

Pëllumb Gjoka është i njohur për influencën e tij në Shkodër, për lidhjet e forta me qeverinë socialiste dhe si përfitues i statusit si “investitor strategjik” për biznesin e tij. Tani, del se kontrollon një pjesë të mirë të drejtuesve të policisë së Shkodrës.

Ndarja e policëve mes bandave

Në një bisedë të transkriptuar mes Behar Bajroviqit dhe Pëllumb Gjokës, që ndodhet në dosjen e SPAK, ata të dy flasin për ndarjen e komisariatit, në shefa që punojnë për ta dhe në shefa që punojnë për palën tjetër.

“Në orën 22:39 shtetasi Behar Brajoviq duke përdorur TIV9E3 komunikon me përdoruesin 7142D9, i identifikuar si shtetasi Pëllumb Gjoka. Diskutojnë në lidhje me një person me emrin “Luli” që ka shkuar për të vizitur Beharin pasi ka dalë nga burgu. Behari shprehet që ai nëndrejtorin dhe Shefin e Komisariatit i kishte të vetët.

Pëllumbi shprehet që, ato kanë nëndrejtorin dhe shefin e Komisariatit ndërsa ne kemi shefin e Krimit të Organizuar dhe e kemi informacionin 10, që ata nuk e dine dhe ti mos i thuaj.

Më datë 09.07.2020, ora 23:07 shtetasi Behar Brajoviq duke përdorur TIV9E3 komunikon me përdoruesit 7142D9 i identifikuar si shtetasi Pëllumb Gjoka, Behari i shkruan duke i thënë që, ma pyet atë shokun (Ardit Hasanbegaj) për “Braçen” (Ibrahim Lici) nëse është në kërkim sepse më tha dikush që është në kërkim.”

Një ndarje e tillë e policëve mes bandave është përfolur përherë, por këto përgjime janë provat e para që tregojnë nivelin e kriminalizimit në radhët e policisë shqiptare.

Urdhri për të mos hetuar vrasjen e Gjin Boriçit

Shefi i krimeve në Shkodër, Ardit Hasanbegaj ka qenë një nga personat e rekrutuar nga Pëllumb Gjoka. Pas vrasjes së Gjin Boriçit në 9 Gusht 2020, Gjoka e urdhëron shefin e krimeve të mos merret me zbulimin e vrasjes, ndërsa i kërkon informacion për një nga shënjestrat e tij, Dorian Dulin.

“Në orën 14.49 shtetasi Pëllumb Gjoka duke përdorur 7142D9 komunikon me përdoruesin e DGLXJM i identifikuar si Ardit Hasanbegaj.

Pëllumbi e pyet se, cfarë ishte ajo e mbrëmshmja (vrasja e Gjin Ndoj).

Ardriti i përgjigjet që, nuk e di, paska qenë me hasmëri, për punën e një vëllait, plus paska qenë kollarexhi.

Pëllumbi e pyt që, si duket si dorë?

Ardriti i përgjigjet që, ka punuar mirë kopili dhe si duket kanë qenë dy ose më shumë. Të vështirë do e kemi por besoj do të nxjerrim dicka.

Pellumbi i thotë që, lëreni në kollaren e vet.

Në orën 17.09 shtetasi Pëllumb Gjoka duke përdorur 7142D9 komunikon me përdoruesin e DGLXJM i identifikuar si Ardrit Hasanbegaj dhe ky i fundit e pyet nëse, ky e njihte DD sepse vëllai i ktij ka takuar Dor Dulin.

Pëllumbi i shprehet që, këta të vrasin dhe të vijn edhe me u pjek.

Pëllumbi i shkruan Arditit nëse, ke info për Dorin më thuaj”

Përgjimet e Licëve për Pëllumb Gjokën

Konfirmohet nga bisedat se ish-shefi i Krimeve të Shkodrës, Ardit Hasanbegaj u përdor edhe për kërkimet e bandës për Ibrahim Licin që ishte shënjestra kryesore në Shkodër. Madje familja Lici u vu në përgjim për komunikimin me Ibrahim Licin dhe informacionet e policisë kalonin direkt tek banda kundërshtare që kërkonte vrasjen e tij. Pasi biznesmeni Pëlumb Gjoka gjen numrin e celularit të Ibrahim Licit, ia kalon këtë shefit të krimeve që e vë në përgjim dhe i raporton:

“Atij nuk i ka dalë asnjëherë në valë antenna, vetë aty në shtëpi dhe është i vëllai se e njeh në zë ai lart (operatori i përgjimit), i njeh si shtëpi, ua njeh zërat.

Arditi në vazhdimësi i tregon Pëllumbit që “Dori ka qenë në Tiranë dje, më tha ai shoku, ka takuar një zyrtar. Jo në “pol”, por nuk e ka thënë si emër, një zyrtar se i ka kërkuar takim, më tha shoku. Pëllumbi shprehet që “do ketë takuar ndonjë nga lsi”.

Kërcënimi për nëndrejtorin e policisë

Një tjetër moment në dosjen e përgjimeve është ai kur Pëllumb Gjoka dërgon Behar Bajrin t’i kërkojë llogari nëndrejtorit të policisë. “Faji” i nëndrejtorit është se ka nisur grupe vëzhgimi në zonë dhe se ka lënë furgonat e policisë në krye të rrugës ku banon familja Lici.

“Shaja fort, sepse ai i din për të fortë ato. Ai duhet me ik nga Shkodra sepse është fut thellë me Bardhokun. Pyete kush të ka thënë me i lënë furgonat në krye të rrugës së Licve” shkruan Pëllumb Gjoka duke i nisur një paralajmërim të fortë nëndrejtorit të policisë.

“Edhe diçka tjetër, thuaji kushdo që të jetë përzi me më fut në burg dhe me ndihmu kundërshtarët, është hasmi im. Sepse kanë dasht me më gropos në të gjitha krahët. Nuk ka ndryshim një gjujts me lek, me një që të çon letrat me më fut në burg”.

Behari i shkruan “po vëlla do ja them të gjitha”.

Për operacionin “Metamorfoza” u shpallën 15 vetë në kërkim, por vetëm 6 prej tyre u arestuan nga policia dhe 9 të tjerë arritën të arratisen. Mes tyre është arrestuar edhe Oltion Bistri ish shef i operacionales, ndërsa është shpallur në kërkim Ardit Hasanbegaj, për akuzat se i shërbyen bandave kriminale.

Kush janë personat e arrestuar gjatë operacionit Metamorfoza:

1. Oltion Bistri- Specialisti i Drejtorisë së Krimeve në Volum, Oltion Bistri sapo ishte emëruar në këtë pozicion. Më herët ka mbajtur postin e Shefit të Operacionales një post që e mori në shkurt të vitit 2022. Në vjeshtën e vitit 2021, ka qenë me detyrë në Policinë e Lezhës ndërsa ka drejtuar edhe atë të Durrësit.

2. Xhevahir Lita- Prokuror i qarkut Kukës. Ai e mbante detyrën e Prokurorit të Kukësit që prej vitit 2021. Më herët ai mbante detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Tiranës.

3. Astmer Bilali- Anëtar i bandës së Bajrave dhe ish boksier i Vllazënisë. Astmer Bilali, ish boksier i Vllaznisë, ra në qendër të vëmendjes së mediave kohë më parë kur mbeti i vrarë në një atentat shoku i tij Arjan Ferracaku teksa kalëronte pikërisht në resortin e Astrit Bilalit. Në ngjarjen e rëndë, Astmer Bilali ndodhej me Ferracakun kur ai mbeti i vdekur nga plumbat në distancë, dhe u dyshua se ishte pikërisht Bilali shënjestra e autorëve që ngatërruan objektiv. Ai u arrestua në ndërhyrjen e datës 6 shtator në Shkodër nga FNSH dhe RENEA, si pjesë të “Bajrave”, e ndërsa akuzohet për një sërë veprash penale. Vetëm pak kohë më parë, iu ekzekutuan në derë të shtëpisë babi dhe xhaxhai, Astrit dhe Ibrahim Bilali.

4. Ardit Hasanbenga- Ish Shefi i Seksionit për Krimet, në Komisariatin e Policisë Berat. Ai u shkarkua nga policia në nëntor të vitit te shkuar pas shkarkimit të zinxhirit komandues të policisë së Beratit. Kjo u bë pas zbulimit të serave me kanabis në këtë qark, në fshatin Rërëz

5. Pëllumb Gjoka- Njihet si biznesmen i kazinove dhe i ndërtimeve në Velipojë. Ai gjithashtu drejton edhe Imperial Construction, plazhin ADA në Velipojë dhe një sërë biznesesh po në këtë zonë. Disa vite me pare u shpall investitor strategjik nga qeveria.

6. Edmond Preka, ish polic, shofer i biznesmenit Pellumb Gjoka.